Partia e Lirisë denoncon pengimin e Dules dhe Belerit për të takuar Metën! Reagon SPAK: Lejet i jep Drejtoria e Burgjeve

31/01/2025 15:54

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, thotë se kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe eurodeputeti, Fredi Beleri janë penguar të takojnë kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në Burgut 313 në Tiranë.

Sipas Blushit, SPAK në shkelje flagrante me ligjin, pengoi në mënyrë të dhunshme Belerin dhe Dulen të takojnë ish-presidentin Ilir Meta.

“Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët.

Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision të vetëm ka izolimin në ekstrem, arrestimin, hetimin, përndjekjen dhe shantazhimin e drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin.

Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet. Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz“, shkruan Blushi.

Menjëherë më pas, reagoi SPAK, që tha se deputetët s’kanë nevojë për autorizimin e këtij institucioni dhe se miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur”, shkruan SPAK.

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, u arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA