6 punonjës të Bashkisë Devoll akuzohen për ‘Falsifikim dokumentesh’, pasi dyshohet se kanë mashtruar me karburantet dhe materialet për shtrimin e rrugëve, të cilët janë çuar në gjyq nga Prokuroria e Korçës.
Sipas hetimeve, të akuzuarit janë: G.K., me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative, A.C., Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve në Agjencinë e Shërbimeve Publike, K.M., Përgjegjës në sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike, E.N., Magazinier në Sektorin e Menaxhimit Financiar, dhe H.Ç. e J.B. me detyrë shoferë.
Të gjashtë ata u kallëzuan nga shtetasi B.N., për procedurën e prokurimit me objekt blerje mallra e materiale ndërtimi për nevojat e Bashkisë Devoll. Kallëzuesi denoncoi se pas kryerjes së procedurës është shpallur fituesi dhe u kryen në mënyrë fiktive si procedurat e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve ashtu dhe dalja e tyre nga magazinimi dhe përdorimi në punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë.
Nga hetimet dhe këqyrja e pamjeve filmike, prokuroria vërtetoi se makinat të cilat duhet të kryenin transportin e materialeve, nuk kanë lëvizur si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të gjithë periudhën e plotësuar për transport çakulli, mbeturinë për mbushje, ashtu sikurse është paraqitur në fletë udhëtimet dhe situacionet e punimeve të transportimit të këtij materiali ndërtimi.
Gjithashtu, rezultoi se mjetet nuk justifikojnë shpenzimet në drejtim të karburantit të përdorur, por edhe rrugëve që kanë bërë për transportin e çakullit për shtrim rrugësh. Mjetet nuk lëvizin në asnjë moment nga magazina për të gjithë periudhën e dhënë dhe ndërkohë janë dokumentuar shpenzime në drejtim të përdorimit të karburantit dhe transport materialesh, i cili nuk është kryer faktikisht me këtë mjet.
Top Channel