Njeriu që supozohet të jetë lideri i ardhshëm i Gjermanisë mund të mbështetet te partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) për herë të dytë brenda një jave, një veprim që nuk është pritur mirë.
Friedrich Merz, lideri i partisë konservatore CDU, mund të ketë nevojë për votat e AfD për të miratuar legjislacionin që ashpërson ligjet e imigracionit.
Ish-kancelarja Angela Merkel e ka akuzuar atë se i ka kthyer shpinën një premtimi të mëparshëm për të mos punuar me AfD në Bundestag.
Merz i ka mbrojtur veprimet e tij si “të nevojshme” dhe tha se ai nuk kishte kërkuar dhe as nuk donte mbështetjen e AfD-së. “Një vendim i duhur nuk bëhet i gabuar vetëm sepse njerëzit e gabuar pajtohen me të”, tha ai.
Të premten në mëngjes, CDU tha se kishte kërkuar një pauzë përpara votimit dhe dukej se po zhvillonte bisedime nëse legjislacioni duhet të votohet ose të kthehet në komitet.
CDU kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve të parakohshme të Gjermanisë muajin e ardhshëm. AfD aktualisht është në vend të dytë, megjithëse Merz ka përjashtuar çdo lloj koalicioni me ta.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Gjermanisë mbrëmjen e së enjtes në kundërshtim me bashkëpunimin e CDU-së me të djathtën ekstreme.
Legjislacioni i propozuar kundërshtohet nga partitë, duke përfshirë socialdemokratët (SPD) të kancelarit aktual Olaf Scholz. Scholz është ndër ata që kanë kritikuar mbështetjen e Merz në AfD, duke e quajtur atë një “gabim të pafalshëm”.
“Që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë mbi 75 vjet më parë, ka pasur gjithmonë një konsensus të qartë midis të gjithë demokratëve në parlamentet tona: ne nuk bëjmë kauzë të përbashkët me të djathtën ekstreme,” tha ai.
Ndërkohë, Alice Weidel, udhëheqësja e AfD-së, akuzoi partitë kryesore të mërkurën për mosrespektim të votuesve gjermanë duke refuzuar të punonte me partinë e saj.
Top Channel