Aksi rrugor Fier-Kthesa e Patosit-Fratar po rehabilitohet në të gjithë gjatësinë e saj prej afro 43 kilometrash.
Punimet i inspektoi nga afër Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku cila u ndal në gjurmën e parë të këtij projekti me gjatësi 3.7 km.
Balluku theksoi se, kjo kontratë investimi parashikon të përfundojë në pranverën e vitit 2026 dhe do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë lokale.
“Kjo ka qenë një nga rrugët më të rrahura në akset e Republikës së Shqipërisë, pasi ishte rruga që dërgonte në pikën kufitare të Kakavijës, por nga momenti që u krijuan disa mundësi alternative sigurisht që rruga e vjetër, ajo që njihet si rruga e kthesave të Ballshit, u amortizua akoma edhe më shumë, duke e bërë kështu komunitetin që të kërkonte gjatë gjithë kohës që të kishin mundësinë për të rehabilituar këtë rrugë. Ne jo vetëm po e rehabilitojmë në pjesën më të gjatë të segmentit, por nga ana tjetër këtu sot ndodhemi në segmentin ku ndërtohet rrugë e re për 3.7 kilometra”, tha Balluku.
Aktualisht në këtë kantier po punojnë 40 mjete të rënda dhe pritshmëritë janë për një ecuri të mirë të punimeve. Pjesë e projektit rrugor është edhe ndërtimi i tre urave si edhe pajisja e rrugës me ndriçim dhe sinjalistikë.
Top Channel