Kryepeshkopi Anastas Janullatos prehet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”! Krerët më të lartë të politikës e besimeve fetare morën pjesë në Meshën e Përshpirtjes

30/01/2025 14:00

Kryepeshkopi i ndjerë i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, u përcoll sot në banesën e fundit, pas një ceremonie madhështore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, aty ku do të prehet trupi i Tij.

Mesha e përshpirtjes u drejtua nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolemeu, i pari i ortodoksëve në botë. Ai tregoi se Patriarkana e dërgoi Anastas Janullatosi në Shqipëri në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist, për të qenë pranë popullit të vuajtur ortodoks.

Shërbesa e tij baritore nuk ishte pa fortuna, udhëhoqi kishën përmes sfidave të mëdha, megjithatë zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur. Kishat, manastiret, spitalet e shumë të tjera janë disa nga arritjet e tij. Ishte i duruar, por i patundur, aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Ai diti të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor. Do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur nga Perëndia, çdo gjë që Kryepeshkopi dhuroi për kishën“, u shpreh Patriarku Ekumenik.

Për të nderuar Anastas Janullatos ishte i pranishëm po ashtu një delegacion përfaqësues nga Vatikani, që u drejtua nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopi i Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë, i Bullgarisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, drejtues të “Saint Egidio” në Itali.

Pjesë e ceremonisë ishin dhe figura të larta të politikës shqiptare. Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryedemokrati Sali Berisha, kryeparlamentarja Elisa Spiropali qëndruan pranë njëri-tjetrit. Nuk mungoi as kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe kabineti i tij prej pesë ministrash.

Kryeministri grek deklaroi se Janullatos ishte një grek i vërtetë, i cili konsiderohej urë lidhëse mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët edhe shqiptarët dhe njerëzit në botë pavarësisht fesë apo besimit. Ai ishte një urë miqësie mes dy popujve dhe armë komunikimi mes dy shteteve. Me plot të drejtë mund të quhet diplomati i dashurisë, mision që e përmbushi me maturi vendosmëri dhe ndërgjegje”, tha Mitsotakis.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se njerëz të nderuar të fesë, përmes dialogut ndërfetar, deri te çdo kryetar shteti që e njohu, ia patën zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatosin, që “erdhi si prift grek dhe tashmë po largohet si Anastasi i Shqipërisë”.

“Dinjitetin e martirizuar të kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kisit dhe Damian Kokoneshit, Irene Banushit dhe sa e sa të tjerëve Kryepeshkopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj të rilindur duke i dhënë mundësinë Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Klerit dhe besnikëve të saj që sot ta marrin stafetën nga ky atlet triumfator i Krishtit dhe ta çojnë përpara në liri të plotë, në pavarësi të pakthyeshme dhe me një siguri të garantuar”, tha Rama.

Qindra besimtarë ndoqën ceremoninë dhe nderuan Kryepeshkopin që rilindi Kishën Ortodokse në vendin tonë.

Anastas Janullatos, lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire. Ai arriti të rindërtonte nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që ishte shpërbërë për 23 vjet, duke zhvilluar veprimtari të shumanshme në fushat e shëndetësisë, arsimit, përkujdesjes sociale, zhvillimit rural, mjedisit dhe kulturës. Njëkohësisht u përpoq për zbutjen e kundërshtive në Ballkan.

Në vitin 2000, pas propozimit të 33 Anëtarëve të Rregullt të Akademisë së Athinës dhe shumë personaliteteve nga Shqipëria, ishte kandidat për Çmimin Nobel për Paqen.

Ka shërbyer në pozicione të shquara në organizma ndërkombëtarë, si anëtar i komitetit teologjik “Dialogu me njerëz të Besimeve dhe Ideologjive të tjera” (1975-1983). President i Komitetit për Misionarizmin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-91). Anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2001-2012). Zëvendëspresident i Asamblesë së Kishave Evropiane (2003-09). President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013).

Ka qenë nderuar me çmime dhe dekorata, vlerësime nga vende dhe Kisha Orthodhokse të ndryshme, ndër të cilat Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës së Greqisë (1997), çmimin Athenagoras për të Drejtat e Njeriut (Nju Jork 2001), çmimin “për veprimtari të shquar për unitetin e Kombeve Orthodhokse”, dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Kontributi i tij në shkencën e Historisë së Feve, dëshminë e krishterë bashkëkohore, afrimin ndërkrishterë, dialogun ndërfetar dhe bashkekzistencën paqësore të popujve dhe feve është njohur ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA