U çuan në Gjadër, tre minorenë dhe dy të sëmurë kthehen në Itali, 44 do qëndrojnë në Shqipëri

29/01/2025 12:15

Vetëm pas një dite që mbërritën në Shqipëri, 5 emigrantë azilkërkues do të rikthehen në Itali.

Në përfundim të procedurave të verifikimit, që ka përfunduar rreth mesnatës, u vendos që 3 minorenë dhe 2 të sëmurë nuk do të qëndrojnë bashkë me 44 të tjerët në kampet e Gjadrit në Shqipëri.

44 emigrantët do të presin në tokën shqiptare fillimisht vendimin e Gjykatës së Romës, që pritet të vendosë brenda 48 orëve për vlefshmërinë e mbajtjes së tyre në vendin tonë dhe më pas do të presin një përgjigje për kërkesën e tyre për azil.

Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, ndërsa pjesa tjetër vinin nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.

Emigrantët mbërritën mëngjesin e së martës në portin e Shëngjinit me anijen e marinës italiane “Casiopea”.

Ky është kontingjenti i tretë i emigrantëve që mbërriti 2 muaj pas pezullimit të marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për shkak të vendimeve të gjykatave atje, të cilat urdhëruan në dy rastet e para dërgimin e të gjithë emigrantëve në vendin fqinj.

Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre, me argumentin se vendet e tyre të origjinës nuk ishin “të sigurta” në të gjithë territorin e tyre.

Qeverisë italiane iu desh të miratonte një dekret të veçantë, që mori edhe mbështetjen e Gjykatës së Kasacionit.

Por fjala e fundit për ligjshmërinë e ndalimit të emigrantëve në det dhe dërgimin e tyre në kampet e ngritura në Shqipëri do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë, e cila pritet të shprehet më 25 Shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA