SPAK po përpiqet të zbulojë se kush tentoi të blejë heshtjen e familjes Deda, pak kohë mbasi i afërmi i tyre Hekuran Deda ishte qëlluar për vdekje në bulevard teksa po protestonte.
Për këtë arsye vëllai i dytë i Hekuranit, Agim Deda u pyet në SPAK pak orë mbasi një hetues i BKH kishte administruar përgjigjet e Zabit Dedës. Dëshmitari i radhës qëndroi gati një orë dhe ashtu si i vëllai u tregua i rezauruar. Megjithatë nuk mungoi mesazhi i tij për drejtësinë që po presin.
Pasi u pyet për rreth një orë në SPAK, vëllai i Hekuran Dedës i tha gazetares së Top Channel Anila Hoxha se ‘ia kemi lënë drejtësisë zbardhjen e ngjarjes’.
Çështja e 21 janarit është rikthyer dhe po hetohet për tre vepra, mbasi Strasburgu e konsideroi si një krim shtetëror dhe të pahetuar siç duhet ndër vite.
Si të kallëzuar nga familja e protestuesit tjetër të vrarë Aleks Nika, janë ish-kryeministri, ish-ministri i Brendshëm dhe ish-komandanti i Gardës.
Përpos ish-zyrtarëve të Gardës dhe të policisë që po pyeten si edhe politikanë të së majtës që thirrën protestën, SPAK po merr në pyetje edhe familjarë të viktimave që gjatë këtyre 14 viteve kanë shqipëruar akuza, si ato të familjes Deda që kanë thënë se një ish-gardist iu ofroi para për të heshtur.
Top Channel