Programi ‘100 Fshatrat’ përfaqëson një instrument politikash dhe planifikimi strategjik të integruar, që synonte mbështetjen me mjete financiarë e fiskalë për popullsinë rurale.
Qëllimi ishte frenimi i emigrimit të atyre pak banorëve të mbetur dhe rikthimi i të larguarve.
‘Mungon politika makro që të shpërndajë qoftë buxhetet, qoftë edhe strategjitë që nuk janë gjithëpërfshirëse. Në momentin që ne rrisim lejet e ndërtimit për pallate automatikisht sapo i kemi hedhur benzinë zjarrit dhe kemi rritur shpejtësinë e lëvizjen e popullsisë drejt qytetit dhe bie në kundërshtim me strategjinë e atij megaprojekti që përfshiu aq shumë aktorë dhe kishte synime gjithë përfshirëse dhe largpamëse në fillimet e veta që ishte ‘100 Fshatrat’ u shpreh Doriana Musai, planifikuese urbane.
Rreth 270 mln euro janë investuar deri më tani nëpër fshatra si pjesë e këtij program. Nëse analizojmë shumën e madhe të shpenzuar, progresi është mjaft i kufizuar. Institucionet nuk janë koordinuar me njëri tjetrin, si pasojë aktualisht nuk kemi asnjë fshat që të ofrohet si model transformimi.
‘Fshati është më keq se sa ka qenë, nuk kemi rikthim të banorëve në fshat. Çfarë ka ndodhur fshati ka humbur aspektin vital të tij, rininë, nuk ka ekonomi’ u shpreh Doriana Musai, planifikuese urbane
‘Ndonjëherë para se të mendojmë t’i kthejmë në atraksione turistike, duhet ti mbajmë njerëzit aty. Por si mbahen njerëzit? Duke i zgjidhur problemet e dritat e ujit, punë. Unë nuk kam asnjë model që të më ketë mbetur, nuk ka pyetur asnjë fshat model se si do të zhvillohet apo do të kultivojë industrinë e turizmit, apo të ketë gjithë ingredientët përbërës me atë që mund të ofrojë një fshat turistik’, u shpreh Pano Soko, ekspert ekonomie.
Aktualisht qeveria ka vendosur ta shtyjë programin deri në vitin 2030 duke i akorduar një buxhet prej 9 mld lekësh ose 90 mln euro.
‘Shpresoj që mësimet e nxjerra nga moszbatimi i fazës së parë, do të ndihmojnë që të kuptohet drejt dhe të zbatohet faza e dytë dhe ka premtuar mbështetje për 1 mijë agrobiznese deri në vitin 2030’ u shpreh Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hoteri-Turizëm
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit që luan rolin e agjencisë zbatuese, çdo vit, prej lançimit e deri në fund të vitit 2024, programi i dedikuar për 100 Fshatrat ka siguruar një financim prej 2.5 miliard Lekësh. FSHZH sqaron se përveç projekteve të cilat financohen drejtpërdrejt nëpërmjet këtij programi, janë edhe 180 projekte të tjera, të cilat operojnë ose kanë impakt të tërthortë në territorin e ‘100 Fshatrave’.
Top Channel