Sapo kalon malin e Dajtit, në një luginë të begatë shtrihet Shëngjergji, një fshat me histori të pasur.
Me potenciale të jashtëzakonshme turistike, këtu në vitin 1913 u hap shkolla e parë shqipe e Tiranës, me burimin e kristaltë të Shën Mërisë, me ujëvarë, lumin Erzen që përshkon zonën, kullat tipike prej guri dhe peizazh mbresëlënës, ai u përfshi në listën e 100 fshatrave.
‘Kjo është një zonë ku mund të bësh turizëm 12 muaj të vitit. Kjo nuk është një zonë që ti vjen jo vetëm për të bërë një shëtitje, por mund të marrësh familjen e të qëndrosh gjithë fundjavën. Për nga potenciali mund ta krahasoj me Thethin dhe Valbonën’
Edhe pse shumë pranë Tiranës, as këtu investimet nuk kanë mbërritur ende. Ose, ato pak investime të realizuara janë amortizuar. Fshati nuk ka ende rrugë të shtruar, ka mungesë të energjisë elektrike, vuajnë për ujë të pijshëm e vaditje. Për më tepër nuk ka kanalizime të ujërave të zeza dhe funksionojnë me gropa septike.
Ky është një kamping publik i ndërtuar pak kohë më pare. Siç edhe dëshmohet nga këto pamje, këtë investim e ka marrë lumi duke çuar dëm miliona lekë.
Rruga kryesore që është ndërtuar në vitin 2012, pra para se të futej në listën e 100 fshatrave, shkon deri në qendër të zonës që përfshin në vetvete 7 fshatra, por nuk ka mbërritur ende në Shëngjergj. Për shkak të vështirësive ende banorët përdorin kuajt si mjet transporti. Mulliri i Hasan Dishës është i vetmi që ka mbetur hapur nga 5 të tillë që ka pasur kjo zonë. Turistët e gjejnë në hartë si toponim, por është e vështirë të shkosh deri tek ai.
‘Për kv marr 4 mijë lekë, mund të bëj 2-3 kv në ditë se nuk ka lëvizje. Tani me ta thanë të drejtën edhe unë do e mbyll, unë jam përpjek me e mbajt por’ u shpreh Hasan Disha, mullixhi
Fshati pothuajse është braktisur krejtësisht, për shkak se mungojnë shërbimet elementare. Nëse në vitet 90-të kjo zonë numëronte rreth 6 mijë banorë, në vitin 2023 në të gjithë fshatrat e zonës kishin mbetur vetëm 1400 banorë.
‘E vështirë është se nuk ka rrugë, nuk ka gjona…shkolla spitalet janë si objekte po funksionet janë shumë të vobekta. Janë larguar se nuk kanë shkollën’ u shpreh Hasan Disha, mullixhi
Pak metra larg shkollës është hapur një kantier ndërtimi. Siç duket edhe nga tabela bashkia e Tiranës ka marrë përsipër të shtrojë një segment rrugor që nuk është as 1 km, ndërsa për të arritur në qendër të fshatit është rreth 5 km. Rruga është aq e degraduar sa mund të futesh vetëm me makinë të lartë.
‘Sipas llafeve ne ishim të parët që do bëheshin investime nga këto 110 fshatra por siç po duket po dalim të fundit, nuk ka asnjë lloj investimi
‘Gropa e katunit, ku më parë kanë qenë 20 shtëpi, tani kanë ngelur 3 shtëpi të gjithë në emigrim, asnjë dasmë, edhe ato që martohen dasmat i bëjnë në lokale në Tiranë. Këtu mund të ketë 15 vjet pa lind një fëmijë. të kënaqet që të sheh një grua shtazanë që lind një jetë e re’ u shpreh banori i Shëngjergjit.
Si pasojë e mungesës së investimeve njerëzit po e lënë edhe këtë fshat të bekuar. Ata pak banorë të mbetur i kanë humbur shpresat. Thuajse të gjitha dyert e shtëpive janë mbyllur.
Top Channel