Gjermania ashpërson emigracionin? CDU: Arrest para dëbimit e humbje nënshtetësie!

29/01/2025 13:58

Bundestagu pritet të votojë propozimet e CDU/CSU-së për ashpërsimin e politikës së emigrimit dhe forcimin e sigurisë së brendshme.

Nëse nuk veprojmë tani, shoqëria mund të dalë jashtë binarëve, paralajmërojnë kristiandemokratët gjermanë.

Nënkryetarja e CDU, Karin Prien pohoi se vendime të tilla nuk janë të thjeshta, por insistoi se ndryshimi i kushteve kërkon gjithashtu përgjigje të reja. Episodi i dhunës në Aschaffenburg shënoi një pikë kthese dhe shumë njerëz mendojnë se shteti nuk mund të garantojë më sigurinë e tyre. Prien përsëriti në radion Deutschlandfunk se nuk dëshironte të bashkëpunonte me AfD-në dhe se propozimet në Bundestag ishin një ofertë për SPD-në dhe të Gjelbrit.

Ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser e ka paralajmëruar ndërkohë CDU/CSU që të mos vendosë, së bashku me AfD, për të ashpërsuar politikën gjermane të emigrimit. Partitë unioniste duhet të heqin dorë sa më shpejt nga “rruga e gabuar nacionale” e cila do të ishte e mundur vetëm me votat e AfD-së, tha politikania socialdemokrate për gazetat e grupit mediatik Funkek, teksa përmendi reformën  evropiane të azilit dhe ligjit të ri federal të policisë. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock i kritikoi edhe ajo të tilla propozime, duke nënvizuar se “Europa mund të punojë vetëm së bashku dhe emigrimi i rregullt mund të jetë vetëm europian”.

Propozimet e grupit parlamentar të CDU/CSU përfshijnë ndër të tjera kthimin pas të azilkërkuesve në kufijtë gjermanë dhe arrestimin e personave të cilëve u kërkohet të largohen nga vendi dhe nuk mund të dëbohen. Në propozime kërkohet më tej që të jetë e mundur ata që mbajnë dy shtetësi, edhe shtetësinë gjermane, dhe që kryejnë krime të rënda, të humbasin shtetësinë gjermane. Për më tepër, autoriteteve të sigurisë duhet t’u jepen më shumë kompetenca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA