Jo transgjinorë në ushtri/ Urdhri i Trump, kthehen në detyrë ata që refuzuan vaksinimin

28/01/2025 13:27

Fjalë e dhënë, fjalë e mbajtur: Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që udhëzon sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth të rishikojë politikën e Pentagonit për ushtarët transgjinorë, vendim ky që me gjasë mund të çojë drejt një ndalimi të shërbimit të tyre ushtarak në të ardhmen.

Ai përmbushi dhe një tjetër zotim, duke urdhëruar që ushtarët, të cilët u larguan vullnetarisht apo u shkarkuan për shkak se kishin refuzuar të merrnin vaksinën për COVID-19, të kthehen në radhët e ushtrisë.

Argumenti i përcjellë nga Trumpi në urdhrin për transgjinorët ishte se shërbimi ushtarak nga trupat që identifikohen me një gjini të ndryshme nga gjinia e tyre biologjike, “bie ndesh me angazhimin e një ushtari për një mënyrë jetese të ndershme, të vërtetë, të disiplinuar, madje edhe në jetën personale” dhe e dëmton për gatishmërinë ushtarake”.

Ky hap duket ka qenë një dëshirë e hershme në fakt e presidentit republikan. Trumpi që gjatë mandatit të parë kishte tentuar t’i ndalonte transgjinorët që të shërbenin në ushtri, por çështja u zvarrit nëpër gjykata e më pas u rrëzua nga pasardhësi i tij, Joe Biden, pak kohë pas marrjes së detyrës.

Dy grupet, Lambda Legal dhe Human Rights Campaign, që përfaqësonin ushtarët transgjinorë kur Trump shërbeu për herë të parë si president, janë zotuar se do të luftojnë sërish kundër urdhrit të ri të presidentit.

Gati 1.3 milion personel aktiv shërbejnë në ushtrinë amerikane, sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes.

Grupet për të drejtat e kësaj kategorie pretendojnë se numri i transgjinorëve që shërbejnë në ushtrinë amerikanë mbërrin deri në 15.000 ushtarë, por zyrtarët insistojnë se në realitet, ai më i vogël se kaq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA