A kishte në të vërtetë aktivitete të rregullta sportive në kampet e përqendrimit?
Kampet naziste të përqendrimit ishin vende të tmerrit dhe vdekjes, vende torturash dhe poshtërimi të të burgosurve. Për këtë qëllim personeli i sigurisë përdorte rregullisht edhe ushtrimet sportive.
“Gardianët i urdhëronin të internuarit dhe të burgosurit të bënin kërcime ose të vraponin, derisa ata rrëzoheshin nga lodhja”, thotë historiania Veronika Springmann në një intervistë për DW. Ajo është autore e librit “Gunst und Gewalt – Sport in nationalsozialistischen Konzentrationslagern” “Favor dhe dhunë – Sporti në kampet e përqendrimit të nacionalsocialistëve”. Ata, që kishin rënë në tokë, zakonisht goditeshin me shkelma dhe ofendoheshin nga rojet. “Kjo përsëritej çdo ditë. Ishte në fakt si një ritual i përditshëm.”
Krahas këtij sporti të detyruar me dhunë kishte edhe aktivitete sportive, që disa nga të burgosurit i kryenin pak a shumë në mënyrë të pavarur.
Cilët të burgosur merrnin pjesë në aktivitete sportive të pavarura?
Shumica e të burgosurve për shkak të kushteve çnjerëzore në kamp, punës së rëndë të detyruar ose të qënit viktima të eksperimenteve mjekësore nuk bënin dot sport si aktivitet në kohën e lirë. Dhe pastaj jeta e përditshme në kamp nuk ofronte hapësirë për të. Të burgosurit ishin në përgjithësi të kequshqyer, për shkak të kushteve të këqija higjienike vuanin shpesh nga pleshtat, morrat dhe zgjebja ose nga sëmundje më të rënda si tuberkulozi ose tifoja.
Sistemi në kampe ishte i organizuar në mënyrë hierarkike, të burgosurit ndaheshin në grupe të ndryshme. Përkatësia në një grup të caktuar vendoste në një masë të madhe edhe për kushtet e burgut dhe kështu edhe për shanset për të mbijetuar. Të burgosurit politikë ose kriminelët profesionistë zakonisht kishin kushte më të mira se për shembull të burgosurit hebrenj, homoseksualët apo të ashtuquajturit “asocialë”.
Përkatësia dukej që në vështrimin e parë përmes shenjës me një copë trekëndëshe stofi të ngjyrosur në veshje. Ata që ishin më lart në hierarki terrorizoheshin më pak nga rojet, merrnin një punë më të mirë, strehim më të mirë, veshje më të ngrohta, akses në më shumë ushqim dhe kështu që ishin në gjendje më të mirë fizike dhe të aftë për të bërë sport. Por në përgjithësi përqindja e të burgosurve, që bënin pjesë këtu, ishte e vogël.
Tek të internuarit më të favorizuar bënin pjesë edhe të ashtuquajturit të burgosur funksionarë. Ata caktoheshin nga rojet për të mbikëqyrur të burgosurit e tjerë dhe për të mbajtur rregull. Shumë prej tyre në rolin e tyre të privilegjuar u bënë keqbërës, por disa e shfrytëzuan atë edhe për të mbrojtur të burgosurit e tjerë.
Cilat sporte ushtroheshin në kampet e përqendrimit?
Brenda mureve të kampit bëheshin rregullisht lojëra futbolli dhe ndeshje boksi. Ndërsa Lufta e Dytë Botërore zgjaste, numri i lojërave të futbollit u rrit, sepse kushtet e internimit ndryshuan për disa të burgosur pas vitit 1942.
“Puna e të burgosurve në kampet e përqendrimit nevojitej për industrinë e armatimeve,” shpjegon Springmann. “Të gjitha firmat e armatimeve e bënin prodhimin në kampe përqendrimi ose në kampe të jashtme. Aty pastaj ofroheshin edhe stimuj dhe oferta. Të burgosurit, që punonin veçanërisht mirë ose ishin të punësuar si funksionarë burgu, lejoheshin të organizonin lojëra futbolli.”
Ekipet përcaktoheshin në shumicën e rasteve sipas kombeve, por zakonisht kishin më pak se njëmbëdhjetë lojtarë. Madje të burgosurit u përpoqën të organizonin edhe fanella futbolli për këto lojëra. Në kampin e përqendrimit Dachau pranë Mynihut është ruajtur një kupë druri, që është ekspozuar në memorialin e kampit të përqendrimit ater. Për të burgosurit organizimi i lojërave kishte të bënte edhe me shpresën. “Planifikimi gjithmonë drejtohet në të ardhmen. Kjo do të thotë që unë shpresoj, se do të jem ende gjallë nesër, pasnesër, të dielën tjetër”, thotë historiania e sportit Springmann. “Kjo jep forcë dhe shpresë. Dhe shpresa është një burim i rëndësishëm mbijetese.”
Megjithatë nuk duhet harruar kurrë, se vetëm një pjesë shumë e vogël e të burgosurve ishin në gjendje ose lejoheshin të merrnin pjesë në lojëra. Përveç kësaj ato zhvilloheshin në një mjedis, në të cilin në të njëjtën kohë vazhdonin torturat, vrasja dhe vdekja.
A kishin sportistët e famshëm avantazhe në kampin e përqendrimit?
Meqenëse sportistët në atë kohë nuk ishin aq të pranishëm në media sa janë sot, rojet e kampit të përqendrimit shpesh nuk i njihnin ata si të tillë. Julius Hirsch ka qenë në fillim të shekullit të 20-të një nga futbollistët më të mirë në Gjermani, dy herë kampion gjerman dhe mes viteve 1911 dhe 1913 lojtar i kombëtares.
Foto e Julius Hirsch krah pllakatit me dhënien e çmimit për vitin 2007
Meqenëse ishte hebre, ai u dërgua në Aushvic në mars 1943 dhe vdiq atje. Megjithatë nuk ka asnjë të dhënë, që ai të jetë identifikuar atje si një ish-yll futbolli apo të këtë luajtur futboll.
Boksi ishte një sport i rëndësishëm dhe popullor për nacionalsocialistët. Dihet se disa boksierë janë njohur në kamp ose dilnin përpara, kur rojet e kampit të përqendrimit kërkonin në mesin e të burgosurve luftëtarë të talentuar për ndeshjet e boksit, që i organizonin për argëtimin e tyre. Kështu ndodhi për shembull me polakun Antoni Czortek dhe me tunizianin Victor Perez. Czortek boksoi në Lojërat Olimpike në Berlin në 1936. Perez ishte kampion i botës në peshën fluturuese nga viti 1931 deri në vitin 1932.
Të dy erdhën në Aushvic në vitin 1943 si të burgosur hebrenj dhe iu desh të merrnin pjesë vazhdimisht në ndeshje boksi kundër të burgosurve të tjerë. Ndonjëherë ishte vërtet çështje jete a vdekjeje. Ndërsa fituesi merrte një copë bukë ose veshje si çmim, humbësi qëllohej menjëherë ose dërgohej në dhomën e gazit dhe vritej atje.
Në një mënyrë makabre boksi i shpëtoi jetën Czortekut, Perezit dhe disa të tjerëve në kamp. Czortek vdiq në vitin 2003 në moshën 89-vjeçare. Perez i mbijetoi Aushvicit, por jo holokaustit. Ai u pushkatua në janar 1945 në një nga marshimet e vdekjes, në të cilat në muajt e fundit të luftës të burgosurit e kampeve të përqendrimit u dërguan drejt kampeve të tjera nga kampet pranë frontit, që po afrohej.
Aftësitë në boks nuk i sollën Johann “Rukeli” Trollmann asnjë avantazh në kampin e përqendrimit. Ish-kampioni gjerman i peshave të mesme ishte sinti dhe i burgosur në kampin e përqendrimit Neuengamme pranë Hamburgut nga viti 1942. Për shkak se e kaluara e tij duke qenë boksier i shquar njihej, ai u rrah shumë shpesh dhe mizorisht nga rojet.
Trollmann vdiq në nënkampin e kampit të përqendrimit Wittenberge në 1944. Pasi iu desh të boksonte kundër njërit prej gardianëve (Kapo) dhe e mundi atë, ai u vra pak më vonë nga pas shpine nga i njëjti Kapo, ndërsa ishte duke punuar./DW
Top Channel