Gjykata e Durrësit ka lënë në qelitë e paraburgimit njërin prej organizatorëve të kontrabandës së naftës nga Tunizia.

Eduart Skora, një nga organizatorët kryesorë të kontrabandës së 670 000 litrave naftë nga Tunizia me anijen Besart, është arrestuar në kufi nga policia dhe vendosur në masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Vendimi u dha në fundjavë nga gjyqtarja Besjana Garxenaj, pas vlerësimit të ligjshëm të ndalimit të tij. Skora akuzohet për veprën penale “Kontrabandaa e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit” e kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i Eduart Skorës u bë në pikën kufitare të Morinës. Ai dyshohet se ka luajtur një rol kyç në skemën e kontrabandës së karburanteve, të zbuluar gjatë operacionit të koduar “Ari i zi” që nisi më 12 janar, kur në portin MBM në Porto Romano të Durrësit u sekuestruan 670 000 litra naftë të fshehura në balastrat e një anijeje, një metodë e përdorur, sipas policisë, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Deri tani, janë arrestuar në flagrancë tre anëtarë të ekuipazhit dhe janë proceduar penalisht pesë të tjerë, ndërsa bashkëpunëtori i Skorës, Florian Biba, është ende në kërkim.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për të zbuluar të gjithë rrjetin kriminal janë në vijim. Në kuadër të fazës së dytë të operacionit “Ari i zi 2” po kërkohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar si organizatorë në këtë aktivitet kriminal me anije nga Tunizia drejt Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA