Një prej punëve të para me të cilat do të ballafaqohet qeveria që do dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit është procesi i dialogut.

Megjithatë, në fushatën që ka nisur nga 11 janari, partitë politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare nuk po i japin hapësirë e nuk po premtojnë zgjidhje për këtë çështje në takimet me elektoratin.

Sipas njohësve, arsyeja për këtë është se dialogu nuk është çështje që sjell vota.

“Kjo nuk është temë populiste dhe çfarëdo premtimi që e jep tani do të duhet t’i qëndrojnë atij qëndrimi dhe partitë duke e parë që nuk premtojnë asgjë, çfarëdo që e bëjnë pas nëntë shkurtit ato thonë që nuk e kemi premtuar këtë çështje”, shprehet analisti, Dritëro Arifi.

Partitë opozitare që tashmë kanë publikuar programet e tyre kanë një ide se çfarë veprime do të ndërmarrin lidhur me dialogun nëse marrin pushtetin.

Partia Demokratike e Kosovës në programin e saj thekson se “angazhohet për një dialog efektiv dhe të sinqertë që do të rezultojë në njohje reciproke dhe integrim të plotë ndërkombëtar”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se do tregojë qasje implementuese ndaj marrëveshjes për normalizim dhe ankesit të saj të arritur më 2023, por që në qendër ka njohjen reciproke dhe një konsultim me aleatët.

Koalicioni për Kosovën Fituese i përbërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA synon përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE.

Ndërkohë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, që gjatë mandatit të saj ka arritur marrëveshjen për normalizim dhe aneksin e Ohrit, nuk e trajton këtë çështje me elektoratin e saj. Madje kjo parti ende nuk ka as një program me të cilin shfaqë synimet e veta.

“Në publik po mundohen ta paraqesin sikurse fare nuk ekziston dhe duke u nisur nga ajo që partia në pushtet nuk ka as program zgjedhor, dëshmon se kjo temë është një farë mënyrë e paprekshme për partinë në pushtet”, shton Arifi.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011.

Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksi i saj i arritur gjatë vitit 2023, nuk po zbatohet e sipas BE-së, zbatimi u saj është kusht për të ecur para në rrugën drejt integrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA