Nik Tonaj dyshohet se është personi i gjetur i vdekur në ujërat e Komanit bën me dije gazetari i Top Channel, Eraldo Harlicaj.
Sipas burimeve të tij, policia e Shkodrës është njoftuar mesditën e djeshme se një trup i pajetë ka dalë në sipërfaqen e ujit, ndërkohë që ditën e sotme u dha njoftimi për shtyp.
Efektivët e policisë u nisën me shpejtësi drejt lumit të Shalës për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë. Pas disa orëve kërkime, ata kanë arritur ta lokalizojnë dhe të nxjerrin. Deri në këto momente nuk është konfirmuar shkaku i vdekjes së tij, nëse kemi të bëjmë me vrasje kriminale, apo arsye të tjera.
Trupi i viktimës është nisur në drejtim të Tiranës për t’iu bërë autopsia dhe ekspertiza mjekoligjore. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore për identitetin e të ndjerit, por policia dhe Prokuroria e Shkodrës nëpërmjet informacioneve operative kanë dyshime të forta se bëhet fjalë për shumë të kërkuarin.
Nik Tonaj është emër i njohur nga uniformat blu. Ai është i dënuar me 25 vite burg në mungesë, për vrasjen e Nik dhe Lula Pjollaj më 13 korrik të vitit 2003.
Top Channel