“Dashuria është antidoti kundër egocentrizmit, kombëtar, racor, fetar, që helmon bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe popujve”, ka thënë ndër të tjera Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas.
Në veprën e Kryepeshkopit Anastas, teoria takohet në mënyrë krijuese me praktikën, transmetimin e mesazhit ungjillor dhe dëshminë e Krishtit të Ngjallur me përjetimin e fjalës dhe të veprave të tij.
Nga shkrimet e tij të hershme e deri në ditët e sotme, theksohen shpesh fraza të shkurtra elokuente, të lehta për t’u mbajtur mend, të mbushura me përmbajtje, të cilat kristalizojnë mendimin e tij teologjik biblik dhe zbatimin e tij në jetën e Kishës dhe të shoqërisë në përgjithësi. Që atëherë, shumë prej tyre janë përdorur nga njerëz të ndryshëm në fjalime, studime, komunikime mes njerëzve, pa përmendur gjithmonë me vetëdije apo pa vetëdije autorin e tyre. Shpesh edhe ai vetë thoshte me humor se “u bënë si tekstet e këngëve popullore me prejardhje të panjohur”.
Karakteristike është slogani për zgjimin misionar “Kisha pa mision të shenjtë është kishë pa mision”, të cilën e përdori në revistën “Porethentes” (Go Ye) të botuar nga “Qendra Misionare Orthodhokse “Porethentes”. Të dyja u themeluan (1959) nga teologu i atëhershëm laik Anastas Janullatos, për të zgjuar detyrimin ortodoks të ungjillizimit të kombeve.
Fraza dhe fjali të shkurtra të ngjashme shfaqen edhe në mjetet ndihmëse katektike për adoleshentët e dhjakut të atëhershëm Anastas Janullatos në botimet e Ministrisë Apostolike të Kishës së Greqisë dhe sigurisht më pas në studime, qarkore, intervista dhe deklarata për çështje aktuale kritike. Përmendim në mënyrë indikative disa njësi gjuhësore të izoluara apo edhe më gjerësisht :
“Çdo krim në emër të fesë është krim kundër vetë fesë. Çdo formë dhune në emër të fesë është, në të gjitha kuptimet, dhunim kundër vetë fesë. Asnjë luftë nuk është e shenjtë. Vetëm paqja është e shenjtë”.
“Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të ndezur zjarrin e konflikteve. Feja është një dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë pranë njëri tjetrit individë dhe popuj”.
“Mos e derdhni vajin e qiririt në zjarrin e luftës”
“Dashuria është antidoti kundër egocentrizmit, kombëtar, racor, fetar, që helmon bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe popujve”.
“Djalli nuk pushon kurrë së punuari dhe specialiteti i tij është të shkaktojë përçarje”.
“Nuk keni nevojë të krahasoni majat tona me luginat e të tjerëve.”
“Tjetri nuk është domosdoshmërisht armiku apo rreziku. Mund të jetë një pasurim për ne”.
“Ne mbledhim gurët që na hedhin ata që luftojnë veprën tonë dhe ndërtojmë kisha dhe shkolla me ato gurë”.
“Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por e tashmja e Kishës sonë”
“Unë do të porosis një kartëvizitë që do të lexojë:
Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas
Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës
Lypës ndërkombëtar”
“Zoti im, dhe tani çfarë do të ndodhë me gjithë këta fëmijë, me gjithë këta njerëz?”, pëshpërita përsëri, ndërsa kujtova atë që përjetova ato ditë dhe m’u duk se përsëri isha i rrethuar nga kaq shumë duar kërkuese dhe të lutshme të vëllezërve afrikanë që njoha. Më shumë bukë të shenjtë ! Më shumë ‘Oferta’ mendova. MË SHUMË OFERTA JETE, do të nevojiten! Ajo e hënë ishte dita e Frymës së Shenjtë!”
“Gjatë gjithë këtyre viteve u bëra një lypës ndërkombëtar i dashurisë, që Kisha e Shqipërisë të rindërtohet nga rrënojat e persekutimit të pamëshirshëm”
“Zoti na thekson: ‘mos kini frikë’. Dhe së fundi na cakton një mision të madh: Të marrim pjesë në veprën e shpëtimit të botës”.
“Kur e ndjen fqinjin tënd vetëm brenda kufijve kombëtarë, do të thotë se mohon dhe humb universalitetin dhe katholicizmin e Kishës”.
“Dashuria horizontale (e pafund) për bashkënjerëzit tanë është plotësimi dhe verifikimi i dashurisë vertikale (më të lartë) për Zotin”.
“Në Palestinë ka dy liqene, i Galilesë dhe Deti i Vdekur. Karakteristika e tyre e përbashkët është se të dy marrin ujë nga lumi Jordan. Por Galilea i merr ujërat dhe i lë të shkojnë në jug. Deti i Vdekur merr ujërat e Jordanit dhe i ruan për vete. Në Galile ka jetë të mrekullueshme brenda dhe përreth liqenit. Në Detin e vdekur nuk ka asnjë gjurmë jete. Deti i Vdekur tregon simbolikisht se çfarë ndodh kur dikush i mban gjërat për vete. Të pranosh dhe të ofrosh. Ky është sekreti për të pasur jetë të plotësuar…”.
“Drita e përjetshme e Ngjalljes së Krishtit shkëlqen në krijimin e ndërtuar, në mbarë botën. Ndaj çdo besimtar thirret të marrë dhe të përhapë dritën e Pashkëve në mjedisin e tij dhe të ndihmojë personin pranë tij që të ndezë edhe ai qiriun e Pashkëve”.
“Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi! Me Ngjalljen gjithmonë brenda nesh!”.
“Ngjallja e Krishtit është e fshehur në Kryq. Të kuptojmë se vetëm duke përjetuar Kryqin mund të bëhemi njerëz të Ringjalljes”.
“Vdekja në shoqërinë e Krishtit nuk është më një mister i zymtë. Është zgjim në një botë të re drite. Kalimi në një cilësi tjetër jete”.
“Këtë vit nuk do të mund të transmetojmë dritën e ringjalljes nga një qiri tek qiriu i tjetrit. Le të përhapim nga një zemër në tjetrën dritën e shpresës dhe të patrembur në Krishtin”.
“Për ankthin e krijuar nga virusi i pasigurisë, Krishti ofron antidotën efektive.”
“Kisha e Krishtere është e detyruar të ofrojë gjithçka që ka dhe gjithçka që është […] për të orientuar (njerëzimin) drejt një niveli më të lartë: tek Shoqëria universale e Dashurisë”.
“Kisha e vetme e Shenjtë Katolike dhe Apostolike, së cilës ne i përkasim, nuk jeton ekskluzivisht për vete. Gjithçka që ajo është, gjithçka që posedon, gjithçka që ofron është e destinuar për mbarë njerëzimin, për ngritjen dhe rinovimin e botës. Kisha nuk ka të drejtë të bëhet një bashkësi fetare e mbyllur e “adhuruesve”, të cilët gëzojnë ekskluzivisht dhuratat e Zotit. Mbetet përgjithmonë bashkësia falenderuese e besimtarëve në Krishtin, e cila, duke rrezatuar vetë dritën e Tij, kremton përvojën e Ngjalljes, fitoren mbi vdekjen. Me këtë të vërtetë jep kuptim, gjallëron dhe transformon jetën e njerëzimit me liri dhe dashuri”.
“Shërbesa pas Liturgjisë” është slogani i tij më karakteristik, i përhapur gjerësisht në literaturën misionare ndërkombëtare, në lëvizjen ekumenike, në gojën e predikuesve dhe misionarëve vendas dhe jo vetëm, dhe shpeshherë autorësia e saj hesht ose shpërfillet.
Në vitin 1975, peshkopi i atëhershëm i Androusis, Anastas, si Sekretar i Komitetit të Misionit Botëror dhe Ungjillizimit për Studimet dhe Marrëdhëniet Ortodokse, në një Konferencë të PSE (Këshilli i Kishave Europiane) në Etsmiatzin të Armenisë, me temën, “Rrëfimi i Krishtit përmes jetës liturgjike të Kishës”, e përdori këtë shtysë për herë të parë.
Duke cituar një fragment nga predikimi i tij në të Dielën e Dytë të Kreshmës 1963, në festën e Shën Gregorit Palamas, në Athinë, drejtuar anëtarëve të Unionit të Krishterë të Shkencëtarëve, ai përsëriti nevojën që përvoja liturgjike të vazhdojë në jetën e përditshme: ” Nuk duhet humbur kjo ngjarje (e Liturgjisë Hyjnore) si një emocion momental, por të zgjerohet Liturgjia në jetën e përditshme. Dhe të shndërrohet gjithë jeta në një liturgji. Që të bëhet zyra jonë, altari ynë, fabrika ose shtëpia jonë, tempulli ynë, puna jonë të bëhet liturgjia jonë, ku shpirti dhe trupi ynë do të ofrohen në “një flijim të gjallë, të shenjtë,të pëlqyeshëm për Zotin”. Kjo shtysë u përdor më pas nga shumë teologë të huaj që kishin librin e Fr. Ion Bria me këtë titull të përvetësuar.
Shtysa u regjistrua në Mesazhin dhe Enciklikën e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse (Kretë 2016), tekste të pranimit pan-ortodoks dhe shtrirjes mbarëbotërore. Vihet re se autori i Mesazhit ishte Kryepeshkopi Anastas dhe qëndrimet e tij për misionin janë përfshirë në Enciklikë.
“Shërbesa pas Liturgjisë” i referohet përvojës eukaristike të të krishterëve, të cilët, pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, lëvizin jashtë kishës për të ndarë dhurimin që kanë marrë, në mënyrë që bota të shndërrohet në Mbretërinë e Zotit. Ky qëndrim i jetës presupozon sakrificën, duke ndjekur shembullin e Jezusit që u lan këmbët e dishepujve me legen përpara dorëzimit të Sakramentit të Eukaristisë (Gjoni 13:1-17). Kështu vazhdon në shekuj ofrimi vetëmohues i Krishtit ndaj botës nga dishepujt e Tij dhe shpallet misioni i shumëanshëm dhe dëshmia shërbyese e Kishës në botë. Iniciatori i saj, Kryepeshkopi Anastas, me një slogan të thjeshtë, bëri thirrje për një qëndrim të vazhdueshëm eukaristik ndaj jetës në jetën e përditshme, që shpreh shqetësimin dhe luftën për ta shndërruar botën në Kishën e Krishtit.
“Shërbesa pas Liturgjisë”, shtysa emblematike misionare e Kryepeshkopit Anastas, së bashku me urdhrin e ringjallur të Jezu Krishtit “shkoni pra dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt ” (Mateu 28:19) përcaktoi martirizimin e tij ndërkombëtar ortodoks, shërbesën e tij kishtare dhe kontributin e tij në shoqëri për 65 vjet.
Nikolaos Tsirevelos Doktor i Teologjisë, Anëtar i Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës , Departamenti i Teologjisë Universiteti Aristoteli Selanik, Pedagog në Kolegjin Universitar LOGOS.
Përktheu: Aleksandër Marku
Top Channel