Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA do të ketë kontrollin e Groenlandës së shpejti.
“Unë mendoj se do ta kemi atë“, u tha ai gazetarëve në Air Force One të shtunën, duke shtuar se 57,000 banorët e ishullit “duan të jenë me ne”.
Komentet e tij vijnë pas raporteve se kryeministrja daneze Mette Frederiksen këmbënguli se Groenlanda nuk ishte në shitje në një telefonatë të zjarrtë me presidentin javën e kaluar.
Trump shfaqi perspektivën e blerjes së territorit të gjerë të Arktikut gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019, ndërsa pasi fitoi zgjedhjet në 2024 ai shfaqi interes të hapur për marrjen e territorit autonom danez dhe ka thënë se kontrolli amerikan i Groenlandës është një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ndërkombëtare.
“Unë mendoj se njerëzit duan të jenë me ne“, tha Trump kur u pyet për ishullin në dhomën e shtypit në bordin e avionit presidencial.
“Unë nuk e di vërtet se çfarë pretendimi ka Danimarka ndaj saj, por do të ishte një akt shumë armiqësor nëse ata nuk do të lejonin që kjo të ndodhte sepse ne po veprojmë për mbrojtjen e botës së lirë. Groenlandën duam ta marrim sepse ka të bëjë me lirinë e botës. Ne jemi ata që mund të sigurojmë lirinë. Ata nuk munden“, vazhdoi Trump.
Ndërkohë, kryeministrja daneze Frederiksen ka thënë se “Groenlanda u përket groenlandezëve” dhe vetëm popullsia lokale mund të përcaktojë të ardhmen e saj.
Ajo ripohoi qëndrimin e saj në një bisedë të ashpër telefonike prej 45-minutësh me Trump javën e kaluar, sipas raportimeve të “Financial Times”. Gazeta citoi një zyrtar anonim evropian të thoshte se biseda ishte “e tmerrshme”, dhe një tjetër që thoshte se interesi i Trump për të blerë Groenlandën ishte “serioz dhe potencialisht shumë i rrezikshëm”.
Top Channel