Top Channel mëson se Home Office, Ministria Britanike e Punëve të Brendshme, nisi këtë të diel një fushatë publicitare në rrjetet sociale për të dekurajuar emigracionin ilegal drejt Britanisë së Madhe të shqiptarëve.
Qëllimi i kësaj fushate, thotë Home Office, duke përdorur histori reale nga viktimat e trafikut, synon t’i tregojë njerëzve rreziqet nëse ata zgjedhin të lidhen me trafikantët e qenieve njerëzore.
Këto reklama në gjuhën shqipe synojnë po ashtu të kundërshtojnë mitet dhe dizifiormacionet e shpërndara nga kriminelët për të mashtruar njerëzit përmes reklamimit të kalimit ilegal në Angli me gomone ose kamionë.
Kjo fushatë e re thotë Home Office, vjen si një pjesë e bashkëpunimit më të gjerë të qeverisë angleze me Shqipërinë për të penguar njerëzit që bëjnë kalime të rrezikshme me varka të vogla.
“Marrëdhënia e fortë e bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare ka mundësuar që fluturimet e kthimit të emigrantëve ilegal kryhen pothuajse çdo javë. Të enjten e 16 Janarit, 31 shqiptarë pa të drejtë qëndrimi në Britaninë e Madhe u riatdhesuan”, thekson Home Office.
Siç edhe Top Channel ka raportuar në të shkuarën me të tillë avionë dëbohen edhe ata Shqiptarë pasi kanë përfunduar dënimet për vepra të ndryshme kriminale në shtetit ishull.
Komandanti i Sigurisë Kufitare, Martin Hewitt, tha: “Kjo fushatë ndihmon për të thyer modelin e biznesit të këtyre kriminelëve dhe mbron njerëzit që të mos bien viktimë e gënjeshtrave të tyre të rrezikshme, duke siguruar kufijtë tanë si pjesë e Planit të Qeverisë për Ndryshim”.
Duke punuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Shqipëria, thotë Martin Hewitt ne po luftojmë bandat kriminale në çdo hap, duke ndërprerë operacionet e tyre përtej kufijve dhe duke sjellë autorët para drejtësisë. Komunikimet janë një pjesë kyçe e kësaj pune, duke dërguar një mesazh të qarta për migrantët e mundshëm se këtyre trafikantëve nuk mund t’u besohet.”
Në tetor të vitit të shkuar , u arrit një marrëveshje midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e tyre ekzistues për të luftuar krimin e organizuar dhe emigracionin e parregullt, pas bisedimeve produktive midis Sekretares së Brendshme, Yvette Cooper dhe ministrit të Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha.
Top Channel