Një sherr masiv ka ndodhur në rrugën “Pefkon 92” në Metamorfosi të Athinës në Greqi, ku si pasojë një 19-vjeçar shqiptar është dërguar në spitalin e Kryqit të Kuq me kaçavidë në bark dhe tre plagë në kofshë.
Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Dy bashkëkombës të tjerë të moshës 17 dhe 19 vjeç kanë plagë të lehta. Autoritetet policore kanë arrestuar 7 të dyshuar, mes të cilëve katër të rritur dhe tre të mitur.
Burime bëjnë me dije se grupe njerëzish nga Kifisia dhe Filadelfia ishin takuar në një moment të caktuar.
20 personat e përfshirë u ndanë në grupe dhe nisën të godisnin njëri-tjetrin. Sipas të njëjtave informacione, një dëshmitare okulare që ka parë se çfarë po ndodhte, u ka thënë djemve se kishte lajmëruar policinë por sërish nisën sulme më të rënda, si sulmi me kaçavidë.
Autorët janë larguar me një makinë të zezë dhe sipas vlerësimeve të para të autoriteteve duket se bëhet fjalë për një konflikt territoresh dhe mund të lidhet edhe me një ngjarje të ndodhur në Marousi.
Top Channel