Dy vëllezër në Mirditë janë vënë në pranga pasi kultivonin lëndë narkotike, teksa në banesë iu gjetën edhe armë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Double Strike”, u sekuestrua drogë, armë zjarri e gjahu, municion luftarak, radio si të policisë e sende të tjera të kundraligjshme.
Gjatë operacionit, në fshatin Kullaxhi, Mirditë, u ushtrua kontroll në magazinën dhe banesën në pronësi të vëllezërve Ilir Deda, 40 vjeç, dhe Pashk Deda 45 vjeç.
Nga kontrolli në magazinë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre thasë me kanabis në formë boçeje gjithsej 24.5 kilogramë.
Ndërsa nga kontrolli në banesë dhe territorin banesës u gjetën dy armë zjarri ( kallashnikov e pushkë), 4 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 1 shkop gome, 1 shkop bejzbolli, 1297 fishekë luftarak dhe 17 fishekë çifteje.
Armët e zjarrit do dërgohen për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore për të parë nëse janë përdorur më parë për kryerje të veprave penale kundër personit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel