Gjiganti amerikan i energjisë Chevron, operatori i dytë më i madh në botë në sektorin e hidrokarbureve, ka treguar një interes të madh për kërkime në Greqi, njoftoi mesditën e së hënës Ministria e Mjedisit dhe Energjisë.
Kompania amerikane ka blerë të gjitha të dhënat e marra nga kërkimet sizmike, të cilat janë kryer vitet e fundit në Greqinë jugore dhe perëndimore dhe ka shprehur interes për kërkime shtesë për rezerva të hidrokarbureve në një zonë detare prej 11,000 kilometra katrorë në jug dhe jugperëndim të Peloponezit.
Për Athinën zyrtare, gazi natyror që kërkohet të lokalizohet dhe të nxirret është një lëndë djegëse kritike për Evropën deri në vitin 2050 ndaj dhe e konsideron një zhvillim shumë të rëndësishëm, si pjesë e strategjisë kombëtare për pavarësi energjetike apo dhe uljen e kostove të energjisë.
Ndërsa pritet shumë shpejt paraqitja e studimit të ndikimit në mjedis dhe shpallja e një tenderi ndërkombëtar për kompani që do të kenë interes për nxjerrje dhe shfrytëzim hidrokarburesh në këtë zonë, njëkohësisht po zhvillohen proceset për marrjen e një vendimi investimi për shpim-kërkim në zonat në perëndim dhe jugperëndim të Kretës, të cilat i janë dhënë në 2019 Konsorciumit ExxonMobil.
Hyrja e Chevron në Greqi, vjen pikërisht ditën që betohet presidenti Trump, cili pritet të nxisë industrinë dhe kompanitë e naftës. Për sa i përket Greqisë, theksohet se bëhet fjalë ekskluzivisht për kërkime që synojnë sasitë e gazit natyror dhe jo të naftës.
Interesi i Chevron, i kombinuar me faktin se ExxonMobil është tashmë aktiv në vend, shënon praninë e njëkohshme të dy gjigantëve amerikanë të energjisë dhe përforcon besimin se Greqia mund të luajë një rol të madh në tregun global të energjisë, shprehen burime nga Athina zyrtare.
Sipas hartës së Kompanisë Helenike të Menaxhimit të Hidrokarbureve dhe Burimeve Energjetike bëhet fjalë për kërkime në parcela detare të Zonës Ekonomike të Greqisë, larg atyre të kontestuara nga Turqia ku duket me vijë të kuqe pjesa e kompanisë Chevron, me ngjyrë të gjelbër, parqet kombëtare detare, me vijë blu të vazhdueshme parcelat ku kryhen tashmë shpim -kërkime, ndërsa parcelat në kufij me Shqipërinë me vijë blu të shkëputur në harta quhen si zonat e braktisura.
Top Channel