Rezidenca e ish-diktatorit shndërrohet në ambient kulturor/ Autoriteti për Dokumentet e ish-Sigurimit propozim bashkëpunimi me “Vila 31 Art Explora”

17/01/2025 21:20

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka bërë një propozim të hapur bashkëpunimi Shoqatës që administron Vilën 31, tani e njohur si “Vila 31 Art Explora”.

Ajo thekson se “këtu ka një mundësi të rëndësishme për të pasuruar përvojën e vizitorëve në këtë vend historik duke: Organizuar një ekspozitë të përkohshme për të eksploruar jetën private të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes në kontekstin e rolit të tyre drejtues e urdhërues në survejimin, kontrollin, përndjekjen dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit;

Mbajtur workshop-e dhe seminare mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, duke theksuar propagandën dhe censurën; Krijuar materiale informative për të dhënë një pasqyrë më të plotë të kohës së komunizmit në Shqipëri; Shtuar ture të specializuara me histori dhe dëshmi nga dosjet e Sigurimit, për një edukim historik më të thelluar”.

“Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha ishin dy nga figurat më të rëndësishme të regjimit komunist në Shqipëri, ku rolet e tyre në shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë janë të dokumentuara gjerësisht.

Koçi Xoxe, si Ministër i Brendshëm, drejtonte Sigurimin e Shtetit, një organ që u bë sinonim i represionit dhe terrorit gjatë viteve të para të komunizmit. Nën drejtimin e tij, Sigurimi i Shtetit zhvilloi fushatat e para të mëdha kundër “armiqve të klasës”, duke përdorur metoda të tilla si arrestime pa gjyq, tortura, dhe ekzekutime. Xoxe ishte i njohur për zbatimin me zell të politikave të Hoxhës, duke i dhënë një fytyrë të errët regjimit të ri në Shqipëri.

Enver Hoxha, nga ana tjetër, ishte udhëheqësi suprem i Shqipërisë komuniste dhe arkitekti kryesor i politikave që do të përcaktonin fatin e vendit për dekada. Ai personalisht nënshkruante platformat e punës dhe vendimet që çonin në shtypjen e opozitës, kolektivizimin e dhunshëm, dhe izolimin e Shqipërisë nga bota e jashtme. Dokumentet historike na tregojnë se ai shpesh nënshkruante me dorën e vet vendime që çonin në arrestime, dënime të rënda, torture dhe madje edhe ekzekutime, duke treguar përgjegjësinë e tij direkte për shumë nga krimet e regjimit komunist”, shkruhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA