Manchester City “lidh” Haaland deri në vitin 2034, kontrata më e gjatë në ligën angleze

17/01/2025 18:50

Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland ka nënshkruar një kontratë të re me klubin anglez që do ta mbajë atë në Etihad deri në vitin 2034.

Norvegjezi iu bashkua Cityt nga Dortmundi në vitin 2022 dhe që atëherë ka shënuar 111 gola në 126 ndeshje për klubin.

Marrëveshja e mëparshme e sulmuesit, e cila thuhet se përfshinte një klauzolë lirimi, do të skadonte në vitin 2027.

Kohëzgjatja e kontratës së Haaland është më e gjata në Premier League, duke kaluar atë 9-vjeçare që Cole Palmer nënshkroi me Chelsean në gusht të vitit të kaluar.

“Jam shumë i lumtur për kontratën time të re dhe që do të kaloj edhe më shumë kohë në këtë klub të madh. Manchester City është një klub i veçantë, plot me njerëz fantastikë me mbështetës të mrekullueshëm dhe është lloji i mjedisit që ndihmon për të nxjerrë më të mirën nga të gjithë lojtarët”, tha Haaland.

“Unë gjithashtu dua të falënderoj Pep Guardiolën, stafin e tij stërvitor, kolegët e mi dhe të gjithë në klub pasi më kanë ndihmuar shumë në dy vitet e fundit”, përfundoi Haaland.

Txiki Begiristain, drejtori sportiv i Cityt, tha: “Fakti që Haaland po nënshkruan për kaq shumë kohë tregon përkushtimin tonë ndaj tij si lojtar dhe dashurinë e tij për klubin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA