Sabah Bizi, ylli i futbollit shqiptar ka mbyllur sytë ne moshën 79-vjeçare.
Ish mesfushori i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare ka ndërruar jetë por duke lënë pas një karriere me plot trofe. “Nderi i Kombit” debutoi me Vllazninë në moshën 17-vjeçare dhe ne pak kohe arriti në majat më të larta të futbollit falë klasit të tij.
Kolegët dhe ish trajnerët e cilësuan Bizin si futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit shqiptar pasi nuk ishte vetëm një mesfushor por edhe qendërsulmues, sulmues i krahut, edhe mbrojtës anësor, edhe “ mbrojtës i lirë”, me të cilin mbylli karrierën.
Momenti ku Bizi tregoi se është një yll i rrallë në futboll ishte përballja me Gjermaninë ku vetëm 19 vjeç dhe sapo i dalë nga spitali, ai do të markonte Franz Beckenbauer, dhe Shqipëria do te merrte barazimin ndaj gjermaneve.
Pas lënies së futbollit, Sabah Bizi vazhdoi të ishte pranë këtij sporti në rolin e trajnerit dhe drejtuesit tek ekipi i Vllaznisë ndërsa më pas i detyruar për shkaqe shëndetësore do të qëndronte në rolin e tifozit për ekipin e tij te zemrës dhe kombëtaren.
Nga 1965 e deri më 1982, në 18 vjet pa ndërprerje, në 16 kampionate kombëtare, Sabah Bizi ishte dirigjenti i orkestrës shkodrane, pa melodinë e së cilës nuk mund të jepej më asnjë shfaqje e rëndësishme në futbollin shqiptar.
Top Channel