Pas denoncimit në emisionin e Top Channel “Fiks Fare” për abuzimet e dyshuara me varrezat e Bashkisë Sarandë, policia bën me dije se ka nisur procedim për tre persona.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Sarandë kanë referuar materialet procedurale në Prokurori për shtetasit:
•Th. M., 38 vjeç, dhe F. B., 65 vjeçe, banues në Sarandë, administratorë të dy aktiviteteve tregtare (agjensi funerale), për veprat penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Pushtim i tokës”;
•R. S., 51 vjeç, banues në Sarandë, ish-drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike””, sqaron policia.
Procedimi penal për këta shtetas nisi pas publikimit të një videoje në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku trajtoheshin raste të abuzimeve në ofrimin e varrezave publike, duke ngritur dyshime për veprime të kundërligjshme dhe mosveprime nga ana e punonjësve të Bashkisë Sarandë.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, thuhet në deklaratën e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA