Pas shpjegimit që Gykata e Apelit i bëri përmes zyrës së shtypit vendimit për kthimin me detyrim paraqitje të ish kryeministrit Sali Berisha, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha që disponon vendimin ekskluzivisht zbardh detaje nga verdikti i gjyqtarit të posaçëm Engert Pëllumbi.
Sipas vendimit, “’arresti në shtëpi’ për gati një vit, i kombinuar me rrëzimin e alibisë së tij për antitkushtetutshmërinë e masave të sigurimit të caktuara më herët, si dhe me zbutjen e nevojave të sigurimit dhe pozitën politike të kërkuesit, e çojnë këtë gjykatë në përfundimin se masa e sigurimit ‘arresti në shtëpi’, i parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, nuk është më e nevojshme. Gjykata çmon të theksojë se, alibia e kërkuesit për antikushtetutshmërinë e çdo mase sigurimi të caktuar pa autorizim të Kuvendit, nuk mund të përbëjë në vetvete justifikim për moszbatimin e tyre”.
Sipas gazetares, Gjykata e Apelit në vendim thekson se “është e pakonceptueshme që çdo qytetar, aq më tepër një politikan i cili ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë funksione të larta shtetërore, të refuzojë të zbatojë vendimet e gjykatave. Kjo përbën një minim të themeleve të shtetit të së drejtës. Megjithatë, gjykata e thekson faktin e alibisë së kërkuesit vetëm për të evidentuar se moszbatimi i masës së sigurimit nga ana e tij është mbështetur në një argument që është rrëzuar tashmë.
Pra, kërkuesit, duke mbajtur në konsideratë gjithë sa u tha më lart, në kushtet e një interpretimi përfundimtar dhe autoritativ nga ana e Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetit në raport me masat e sigurimit, duhet t’i jepet edhe një herë mundësia për ta respektuar me vullnetin e tij masën e sigurimit ‘Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale. Shkelja sërish e urdhërimeve të gjykatës do të çonte automatikisht në zëvendësimin e kësaj mase me një masë më të rëndë, sipas neneve 231 dhe 260/3 të Kodit të Procedurës Penale”.
Po ashtu gjykata thotë se “në këtë drejtim, gjykata mban në konsideratë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 399, datë 05.12.2024, ka dekretuar datën 11 Maj 2025, si datë të zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin (shih Fletoren Zyrtare nr. 206, datë 10.12.2024). Sikurse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar në vendimin e saj nr. 81, datë 19.11.2024, kërkuesi është kryetar i partisë kryesore opozitare.
Në të njëjtën vendim ajo i ka analizuar pretendimet e kërkuesit edhe në raport me të drejtën për t’u zgjedhur, në drejtim të ushtrimit të mandatit përfaqësues të deputetit prej tij, e mbrojtur nga neni 45 i Kushtetutës. Në këto kushte, gjykata e Apelit vlerëson se nevojat e sigurimit duhen vlerësuar jo vetëm në drejtim të shkeljeve të masave të mëparshme të kryera nga kërkuesi, e lidhur kjo me garantimin e procedimit si shfaqe e interesit publik në ushtrimin e ndjekjes penale, por edhe në raport me funksionin e kërkuesit në drejtim të organizimit të fushatës elektorale, si kryetari i partisë kryesore opozitare në vend, edhe kjo shprehje e interesit publik. Në këtë kuadër, e drejta për t’u zgjedhur, si një vlerë kushtetuese, duhet të vihet në balancë të drejtë me garantimin e procesit të rregullt ligjor, një tjetër vlerë kushtetuese”.
Top Channel