Evazioni nuk është vetëm rezultat i abuzuesve nga sektori privat. Shpesh, janë vetë institucionet apo SHA-të publike që shmangin detyrimet për kontributet shoqërore.
Akoma më keq, vetë institucionet bëhen palë në gjallërimin e evazionit duke favorizuar biznese me të shkuar të errët.
Një plagë që po rrezikon seriozisht skemën e pensioneve. Raporti i brishtë kontribues-përfitues investiguar edhe më herët nga Inside Story, është gjendur si justifikim për pamundësitë e rritjes së pagesave për këtë shtresë të pamundur. Evazioni është i shumëanshëm dhe nuk rrezikon vetëm të moshuarit por ekonominë e vendit në tërësi. Ndryshimet e vazhdueshme në ligjin për tatimet, shpesh demotivojnë subjektet për shlyerjen e detyrimeve.
‘Sot sistemi i taksave është i paparashikueshëm, kanë ndodhur pothuajse 60 ndryshime taksash në 11 vitet e fundit, ka pasur 140 udhëzime ministrash për zbatimin e ndryshimeve të taksave. Ligji i procedurave tatimore ka 130 nene dhe ka ndryshuar mbi 150 here’ u shpreh Jorida Tabaku, deputete.
‘Në Shqipëri taksa me shkallë ka sjellë një përqasje ndaj qëndrimit për ta paguar atë ose jo për mua të gabuar. Sistemi me shkallë është një sitem i cili krijon dallime dhe veç kësaj në mënyrën se si është organizuar godet shtresën e mesme, shtresa e cila është shtylla kurrizore e zhvillimit’ u shpreh Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.
‘Ka një tendencë për të rënduar taksën mbi punën për të lënë në favotr taksën mbi kapitalin. Askush nuk u thotë shqiptarëve që mund të flitet për ndoshta për 600 mln euro apo më shumë që nuk mblidhen në buxhetin e shtetit, një shifër kolosale për shkak të privilegjeve fiskale që janë bërë për kompani të caktuara’ u shpreh Zef Preçi, ekspert ekonomie.
Rritja e pagës minimale ishte një lajm pozitiv, por përfaqësues të opozitës e kanë parë me skepticizëm në një tjetër drejtim. Rritja e detyrimeve sipas tyre mund të demotivojë pagesën e kontributeve.
Top Channel