E goditi me çekiç në kokë dhe i vodhi paratë/ Zbardhet dinamika e vrasjes së 81-vjeçarit në Qafë Mollë, arrestohet autori

15/01/2025 17:14

Autori i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta është arrestuar këtë të mërkurë.

Sipas deklaratës së policisë, fqinji i viktimës, Isuf Hasa 64 vjeç shkoi në banesën e Metës, e goditi me çekiç në kokë dhe më pas i vodhi paratë që ai kishte në xhep.

81-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e 13 janarit në oborrin e banesës në fshatin Shëngjin i Vogël në periferi të Tiranës.

Ekzaminimet mjekësore nga trupi i viktimës dolën në përfundimin se i moshuari ishte goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës që i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia thekson se “më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij. Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta.

Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit.

Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar. Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.

Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.

Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .

Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ””.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA