Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Kristjan Marku.
Një makinë e djegur është gjetur në Novoselë, dyshohet e autorëve, makina tip golf është gjetur duke u djegur në afërsi të nën kalimit, jo shumë larg vendit të ngjarjes, sipas gazetarit të Top Channel, Mikel Marsi.
“Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen me armë zjarri të shtetasit K. M., në autostradën Fier-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Kripa”, është gjetur i djegur automjeti tip “Volkswagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët”, sipas njoftimit të policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Kristian Marku i cili u qëllua sot për vdekje rezulton me precedent penal.
Ai akuzohej për “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë”, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Shtetasi Kristian Marku alias Kristi Bardhi dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26.03.2023, rreth orës 19:00, ndodhur në Rrëshen të Mirdits, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtetasit me iniciale S. R..
30-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, ndërsa po udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë me automjetin tip “Volkswagen”.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Pas atentatit autorët dyshohet se kanë kaluar drejt qytetit të Vlorës. Pista kryesore e vrasjes së 30-vjeçari është hakmarrja.
Top Channel