“Sot jemi të bashkuar dhe kemi program”, Berisha nga Lezha: Në 11 maj votë kundër atyre që donin zhdukjen tonë

12/01/2025 13:09

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga dega e PD-së Lezhë me rastin e 34 vjetorit të themelimit.

Në fjalën e tij përshëndeëtëse, ai u ndal te zgjedhjet e 11 majit, ku tha se qytetarët do të votonin kundër atyre që donin zhdukjen e PD-së.

“Natyrisht ne kemi gabimet tona dhe jashtë gabimeve nuk dalim ndonjëherë, por ajo që është tipari ynë, është realizmi.

Ne i shohim drejt në sy gjërat. Ne i njohim gabimet. Vërtetë skemat piramidale u zhvilluan nën qeverisjen tonë, por ne e dorëzuam pushtetin. E dorëzuam pushtetin nën parimin moral se, ne duhet tu faktojmë shqiptarëve se nuk kemi prekur një qindarkë të tyre.

Pra, u ndala në një gabim. Por gabime të tjera janë bërë. Por gjithmonë janë njohur dhe janë bërë përpjeke të mëdha për korrigjimin e tyre.

Ne kemi një meritë, kemi një meritë shumë të veçantë; ne kurrë nuk jemi ndarë dhe nuk ndahemi nga qytetarët. Jo.

Miqtë e mi. Ju i keni ndjekur zgjedhjet në SHBA. Edhe unë i kam ndjekur sigurisht. Çfarë keni parë aty? Keni parë e gjithë elita amerikane, i gjithë Hollivudi, mediat etj., me radhë në mbështetje të kandidatit kundërshtarë të Donald Trump. Të gjithë humbën, pse humbën? Humbën se ishin të shkëputur nga qytetarët amerikanë.

Thelbi, absolutisht jo se amerikanët nuk admironin Tailor Swift, apo yjet e Hollivudit, por e kishin të qartë se ata ishin për në Hollivud dhe jo për hallet e tyre.

E dinin mirë se për hallet e tyre ishte një njeri tjetër, një njeri që mediat e censuronin, një njeri të cilin të gjithë, për të mos thënë e gjithë bota kundër tij. Por një njeri që mendonte për amerikanët dhe ato 4 vite që kishte qeverisur u kishte dëshmuar amerikanëve se mendonte për ta, ekonominë dhe xhepat e tyre.

Ne vijmë sot, pas një kalvari që kaluam në mënyrë të pamerituar. Kurrë nuk meritonim ne, ne kishim përmbysur diktaturën më të egër në Europë, kishim anëtarësuar vendin në NATO, kishim dyfishuar rrogat, pensionet, e transformuam vendin.

Por u sulmuam nga sundimi mafioz i Edi Ramës. U sulmuam nga kryemafiozi i planetit Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Ata menduan se do na zhduknin, por ata gabuan. Ja ku jemi ne sot më të bashkuar, më të fortë, më të fuqishëm se kurrë.

Na përçanë, u bashkuam.

Na e morën flamurin, ja ku e kemi më krenar se kurrë në jetën e tij.

Na arrestuan, ja ku jemi sot më të fortë se asnjëherë.

Pra miq, ata të cilët kishin parashikuar zhdukjen tonë, me 11 maj do të marrin disfatën e merituar.

Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitoren tonë.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për grabitjen e zgjedhjeve.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për narkodiktaturën.

Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për vjedhjet e tmerrshme, pasi qëndruam dhëmb për dhëmb për çdo vjedhje të tyre.

Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitore, sepse jemi më të bashkuar, sepse kemi programin tonë, programin që i jep përgjigje çdo qytetari”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA