Deklaratat e Elon Musk se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë, kumbuan fort e qartë në veshët e drejtueses së partisë së ekstremit të djathtë, Alice Weidel, e cila ka vendosur të takohet virtualisht me miliarderin në platformën e tij X, për të diskutuar mbi lirinë e shprehjes dhe situatën aktuale politike në vend.
Aktiviteti i titulluar “Hapësira” do të fokusohet tek situata aktuale politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit në Gjermani. Biseda do të zhvillohet në anglisht dhe mund të ndiqet drejtpërdrejt nga kushdo në platformën X. Po ashtu gjatë bashkëbisedimit do të lejohen edhe pyetje nga audienca virtuale.
Sipas zëdhënësve të tyre, Musk dhe Weidel ende nuk janë takuar personalisht. Musk është këshilltar i ngushtë i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump dhe po bën hapur fushatë për populisten e djathtë Weidel. Komentin e tij të para disa ditëve në X se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë, ai e përforëcoi edhe me një artikull të botuar në gazetën javore gjermane “Welt am Sonntag” ku shkruan se “Alternativa për Gjermaninë mund ta shpëtojë Gjermaninë që të mos bëhet hije e së kaluarës së saj. Gjermania është rehatuar në një gjendje mesatare – tani është koha për ndryshime të guximshme, dhe AfD-ja është e vetmja parti që mund ta hapë këtë rrugë.”
Musk shkruan se AfD-ja është “shpresa e fundit për vendin”, e cila sipas tij po kalon një krizë ekonomike dhe kulturore, ndërsa përcjell bindjen e vet se AfD-ja mund ta ringjallë ekonominë gjermane dhe të shmangë humbjen e identitetit përmes një “politike emigracioni të kontrolluar”, ndërsa sa për etiketimet e kësaj force politike si ekstremiste, as ato nuk e shqetësojnë, por i kërkon publikut të mos ndikohet nga etiketimet.
Top Channel