Skiatorja Lara Colturi, e cila garon për ngjyrat kuqezi dhe SK Tiranën, dotë shpërblehet me 100 mijë euro nga Bashkia e Tiranës për arritjet e saj sportive. Këtë vit ajo ka arritur rezultate të jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke dalë e dyta në botërorin e skive në Slloveni. Lajmin e dha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në mbrëmjen gala të zhvilluar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Veliaj shprehu krenarinë për përfshirjen e Tiranës në sukseset e sportistëve shqiptarë, duke theksuar se 90% e ekipit olimpik dhe medaljet e para janë nga Sport Klub Tirana.
“Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës është mbështetëse, pas Komitetit Olimpik dhe qeverisë, sidomos kur shikoj që 90% e ekipit tonë olimpik dhe medaljet tona të para vijnë nga Sport Klub Tirana. Ka qenë e pazakontë përfshirja e Lara Colturit në një qytet si Tirana, që s’ka as pistë dhe as traditën e skive, por njerëzit e “çmendur” marrin përsipër gjëra të guximshme. Ne kemi marrë një vendim pas këtij suksesi, e kemi mbështetur Larën edhe kur ishte 16-17 vjeç, por pas dy podiumeve të para, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të kalojë javën tjetër një shpërblim prej 100 mijë euro për Larën”, tha Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku tha se për të zhvilluar infrastrukturën sportive, krahas hapjes së 82 palestrave në qytet, do të krijohen të tjera hapësira të posaçme për sporte si peshëngritja, mundja dhe gjimnastika.
“Së bashku me shoqen tonë, Ogertën dhe ministren tonë të mrekullueshme të Rinisë, ne të kemi vërtet një super operacion në të gjitha shkollat tona. Deri tani kemi 82 palestra në Tiranë, që i kemi hapur për të gjitha aktivitetet sportive. Më gëzon fakti, edhe apeli i kryeministrit, që do të shikojmë sesi në palestrat e ardhshme të akomodojmë ose të krijojmë kënde të posaçme për sportin si peshëngritje, gjimnastika, mundja, sepse nuk do të mjaftohemi vetëm me palestra që konceptohen vetëm për lojërat me dorë. Këtë vit, bashkë me Ogertën, do ndërtojmë 10 shkolla të reja. Jemi në momentin ideal për t’i konceptuar që në fillim në këtë mënyrë”, tha më tej ai.
Nga ana e tij kreu i KOKSH, Fidel Ylli ka falënderuar Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin Erion Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme në projektet dhe iniciativat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe sportistëve. Gjithashtu ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka qenë mbështetësja kryesore dhe sponsori gjeneral i këtij eventi për të dytin vit radhazi.
“Një vend të rëndësishëm zë Bashkia e Tiranës, Kryetari i saj Erion Veliaj, që na ka suportuar maksimalisht në të gjitha projektet, iniciativat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Bashkia e Tiranës ka qenë mbështetësja jonë kryesore në organizimin e kësaj galaje për të dytin vit radhazi, si sponsori ynë gjeneral”, tha ai.
Top Channel