Ushtari amerikan që shpërtheu një Tesla Cybertruck jashtë hotelit të Trump në Las Vegas përdori inteligjencën artificiale, përfshirë ChatGPT për të planifikuar sulmin.
Matthew Livelsberger, ishte 37-vjeçari që shpërtheu makinën përpara hotelit të Trump në Las Vegas, para se të qëllonte veten për vdekje.
Policia e Las Vegasit thotë se ka gjetur kërkimet e Livelsberger në ChatGPT para incidentit. Sipas oficerëve, hetimet tregojnë se ai po kërkonte informacion mbi objektivat shpërthyes, shpejtësinë e gjuajtjes së disa lloje plumbash dhe nëse fishekzjarrët ishin të ligjshme në Arizona.
Kevin McMahill, kreu i Departamentit të Policisë Metropolitane të Las Vegas-it, e quajti përdorimin e inteligjencës artificiale nga Livelsberger në planifikimin e sulmit një fakt shqetësues.
“Ky është incidenti i parë në Amerikë në dijeninë time ku ChatGPT përdoret për të ndihmuar një individ të ndërtojë një pajisje të veçantë. Është një diçka mjaft shqetësuese”, tha ai.
Zyrtarët thanë javën e kaluar se Livelsberger la shënime në të cilat ai e cilësoi shpërthimin si një akt që shpresonte se do të ishte një “thirrje zgjimi” për një komb që ai tha se ishte “i sëmurë dhe po shkon drejt kolapsit”.
Top Channel