Ky është një rast ekstrem i përfitimit nga testamenti dhe kur të gjithë rregullat shkelen me të dy këmbët.
Bëhet fjalë për një shtëpi dhe një dyqan në rrugën Myslym Shyri që e motra pretendon se ia ka lënë trashëgim vëllai i saj. Ndërsa vajzës së tij, i ka lënë dy pasuri që nuk ekzistojnë. Këtu kanë lindur edhe dyshimet, pasi e bija pretendon se duke qenë se halla nuk ishte në dijeni se këto dy prona ishin shitur tashmë i ka përdorur ato si prona reale në testament.
Për të qenë të sigurt që do të marrë pasurinë, e motra ka hartuar dy testamente, që rezultojnë të firmosur me shkrim dore, por edhe me shenjë gishti. Në fakt sipas ligjit mjafton vetëm një nëshkrim.
Problemi qëndron se në momentin që poseduesi i pasurisë ka firmosur testamentin ai ka qenë i shtruar në gjendje të rëndë reanimacion, me kancer të mushkërive, që i kishte shkaktuar metastaza cerebrale. Si pasojë e kësaj gjendjeje të rënduar ai ka ndërruar jetë 6 ditë më pas. Megjithatë e motra ka arritur të futet në reanimacion dhe ti marrë firmën për të trashëguar ajo pasurinë e tij dhe jo e bija.
Kjo ekspertizë dëshmon se ditën që ai ka nëshkruar testamentin nuk ka qenë koshient, nuk dallonte nëse ishte ditë apo natë, apo ku ishte.
Është e paqartë se si noteri së bashku me përfituesin e këtij testamenti janë futur në ambientet e reanimacionit, për ti marrë firmën atij që zotëronte pasurinë.
‘Kjo është një shkelje shumë e rëndë sepse të shkohet në reanimacion aty ku personat janë në monetet e fundit të jetës dhe ti merret vullneti i fundit nuk është e ligjshme’ u shpreh Arben Llangozi, avokat
Arben Llangozi, avokat i kësaj çështjeje thotë se kanë pasur edhe raste me përplasje ekspertësh që favorizojnë palët, por në këto raste kemi shkelje shumë të rëndë dhe noterët duhet të ndëshkohen.
“Edhe nga aktet mjekorligjore që ne kemi bërë një person që ka oksigjenin e ulët është në pamundësi për të qenë i ndërgjegjshëm për të marrë vendimi dhe aq më tepër në reanimacion. Aty shkruhet ndalohet hyrja dhe si është e mundur të futet noteri, dhe këto janë të shumta nuk është vetëm një rast’ u shpreh Arben Llangozi, avokat.
Top Channel