Një ligjvënës azerbajxhanas ka thënë se ka “shumë mundësi” se rrëzimi i një avioni udhëtarësh në fillim të kësaj jave u shkaktua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë që ishin në gatishmëri për sulme ukrainase me dronë.
Thashethemet janë rritur se avioni i Azerbaijan Airlines, i cili po fluturonte nga Bakuja drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit rus të Çeçenisë, mund të jetë goditur nga një raketë e një kundërajrori rus, para se ta kalonte Detin Kaspik dhe të rrëzohej afër Aktaut në Kazakistan, duke i lënë të vdekur 38 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Ligjvënësi Hikmat Babaoghlu tha për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë në një intervistë më 27 dhjetor se një shpjegim i tillë sipas të gjitha gjasave “i afrohet më së shumti të vërtetës”.
“Kjo është vetëm një mundësi, por një mundësi shumë e madhe, dhe vëzhgimet dhe përfundimet e nxjerra deri tani mbështesin idenë se rrëzimi i avionit nga goditja me armë është më pranë të vërtetës”, tha ai.
“Në këtë rast të veçantë, incidenti përfshin dëmtimin e avionit të linjës ajrore të Azerbajxhanit brenda territorit të Federatës Ruse, gjë që shkaktoi rrëzimin që ndodhi atje. Prandaj, nuk ka dyshim se përgjegjësia i takon Federatës Ruse. Nëse këto supozime janë të sakta, përgjegjësia pa dyshim bie mbi Rusinë”, shtoi ai.
Ekspertë nga Kazakistani mbërritën më 27 dhjetor për të ekzaminuar vendin e rrëzimit dhe kutinë e zezë të avionit të pasagjerëve, derisa spekulimet – dhe provat – po shtohen duke sugjeruar se një raketë e mbrojtjes ajrore ruse mund ta ketë goditur aksidentalisht avionin.
Derisa hetimet po vazhdojnë, vendet nga ku vijnë viktimat e rrëzimit të avionit – Azerbajxhani, Kazakistani, Rusia dhe Kirgizia – vazhdojnë të mbajnë zi për vdekurit dhe t’i trajtojnë të lënduarit nga rrëzimi i avionit Embraer 190.
Që nga rrëzimi i avionit, pasiguria ka tronditur industrinë e aviacionit në të gjithë Kaukazin.
Një fluturim i Azerbaijan Airlines drejt qytetin rus Mineralnye Vody, u ngrit nga Bakuja më 27 dhjetor, por më pas u kthye mbrapsht papritur pasi mori një njoftim se hapësira ajrore ruse, përmes së cilës duhej të kalonte, ishte e mbyllur.
Azerbaijan Airlines më vonë tha se i ka pezulluar fluturimet për në disa qytete ruse, duke përfshirë Mineralnye Vody, Soçi, Volgograd, Ufa, Samara, Grozni dhe Makaçkala.
Thashethemet rreth tragjedisë janë shtuar, me disa ekspertë që përmendin vrimat e vërejtura në pjesën e pasme të avionit si shenjë e mundshme që ai mund të jetë goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të angazhuara për t’i parandaluar sulmet me dronë nga Ukraina.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, u tha agjencive të lajmeve se indikacionet tregojnë se një sistem kundërajror rus goditi avionin, pa dhënë ndonjë provë për këtë.
Provat, shumica e të cilave nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Azerbjaxhan, Kazakistan apo Rusi, përfshijnë pamje nga brendësia e aeroplanit para rrëzimit të tij, fotografi që shfaqin vrima në bishtin e aeroplanit pas rrëzimit, komentet e një të mbijetuari, dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dronë në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.
Duke komentuar mbi raportet e pakonfirmuara se avioni mund të jetë rrëzuar nga një raketë, kryetari i Senatit të Kazakistanit, Maulen Ashimbaev, tha se është “e pamundur” të thuhet se çfarë mund ta ketë dëmtuar avionin derisa hetimi të përfundojë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri u shpreh ngjashëm, duke thënë: “Duhet të presim përfundimin e hetimit”. Peskov shtoi se është “gabim” të spekulohet para se hetuesit t’i nxirrnin përfundimet e tyre.
Sipas zyrtarëve, përveç 42 shtetasve azerbajxhanas, në bordin e fluturimit “J2-8243” ishin regjistruar edhe 16 shtetas rusë, gjashtë nga Kazakistani dhe tre qytetarë nga Kirgizia.
Në mesin e të mbijetuarve janë nëntë shtetas rusë, të cilët u dërguan në Moskë më 26 dhjetor nga Ministria Ruse e Situatave të Jashtëzakonshme. Sipas autoriteteve shëndetësore ruse, tre prej të mbijetuarve rusë janë në gjendje kritike. /rel
Top Channel