Cristiano Ronaldo foli të premten përpara Globe Soccer Awards të këtij viti në Dubai dhe dha mendimin e tij të sinqertë në lidhje me polemikat e fundit për Topin e Artë.
“Vinicius duhet të kishte fituar Topin e Artë. E meritonte edhe Rodri, por Vinicius fitoi Champions League, ai shënoi në finale. Gjërat e tjera nuk janë të rëndësishme për mua, kur dikush e meriton, duhet të zgjedhësh një fitues të drejtë. Nuk e kam problem ta them, ishte e padrejtë”.
Cristiano zbuloi gjithashtu se çfarë planifikon të bëjë pasi të varë këpucët në gozhdë. “Unë nuk jam trajner, nuk do të jem kurrë trajner . Nuk do të jem as president, por ndoshta mund të bëhem pronar i një klubi. Gjithmonë do të varet nga momenti”.
Sa i përket ligës franceze, Cristiano thotë se nuk i bën përshtypje Ligue 1: “Në Francë është vetëm PSG. Pjesa tjetër ka mbaruar. Nuk më intereson çfarë thonë. Franca ka vetëm PSG. Të tjerët konkurrojnë mirë, por PSG është më i forti. Askush nuk konkurron me ta. Ata kanë lojtarë më të mirë, më shumë para. Kjo nuk është një gënjeshtër. Nuk e kuptoj habinë e njerëzve.”
Top Channel