Unaza e Madhe e Tiranës hapet të hënën për qarkullimin e automjeteve, Balluku: Po punohet për detajet e fundit

27/12/2024 13:43

Pasditen e së hënës Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve.

Aktualisht po punohet për detajet e fundit që kanë të bëjnë me vendosjen e sinjalistikës dhe elementëve të tjerë të sigurisë rrugore.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ishin në lotin 5, ku po punohet për hedhjen e shtresave të fundit asfaltike dhe vendosjen e tabelave informuese.

“Ne i kemi dhënë më shpejt kantiereve tona, pavarësisht kushteve të motit që gjatë dhjetorit nuk na kanë ndihmuar, pikërisht për ta dorëzuar dhe për ta çliruar kryeqytetin, pasi siç kemi thënë Unaza e Madhe nuk është vetëm në shërbim të banorëve të kryeqytetit, por është në shërbim të të gjithë atyre vizitorëve që vijnë nga të katërt anët e Shqipërisë”, tha Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuar.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është një autostradë e cila është trajtuar me mobilim urban, pikërisht sepse kalon në zona të banuara dhe është një vepër infrastrukturore që për ne do të kthehet në një praktikë të mirë për t’u ndjekur sesi bashkërendimi i të gjithë aktorëve, por sigurisht edhe kontributi i ndërtuesve, mund të sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër”, nënvizoi Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej afro 29 kilometrash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA