Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc, kryeministri Albin Kurti: Urdhrin e dha Milan Radoiçiç, Serbia e financoi

24/12/2024 17:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë përgjegjës për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc Milan Radoiçiç.

Në një konferencë për mediat ai tha se urdhrin për sulmin e ka dhënë Milan Radoiçiç, teksa shtoi se përgjegjëse për financimin është Serbia.

Sipas Kurtit, sulmi ishte paralajmëruar e kryer nga grupe të afërta me Radoiçiç-in.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Riparimi i dëmit që i është bërë kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në nëntor të këtij viti, do të kapë vlerën e rreth 400 mijë eurove, kanë raportuar autoritetet.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA