Fiks Fare/ Tërmeti shemb godinën në Nikël, pas pesë vitesh nxënësit e “Ramazan Karaj” janë ende pa shkollë. Projekti mbeti në letër

23/12/2024 21:14

Shkolla e Niklës sot është e shembur dhe nuk është vënë as guri i parë i themelit për rindërtimin e saj.

Projekti i rindërtimit të kësaj shkolle ka mbetur në letër. Prej 5 vitesh me shumë se 480 nxenës e bëjnë mësimin me turne në shkollat e tjera të Fushë Krujës. Projekti i mbetur pezull i kaloi më pas komisionit të rindërtimit. Bashkia pretendon se pret nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit të fillojë punimet, ndërkohë që FSHZH tha për Fiks Fare se shkolla nuk është pjesë e projekteve të tij të financuara apo të caktuara për zbatim në kuadër të programit të rindërtimit.

Fiksi vizitoi nga afër shkollën ” Ramazan Karaj” të cilën e kishte mbuluar bari. Hyrja e saj ishte kthyer në një vend depozitimi mbeturinash. Shkolla në të cilën dikur gumëzhinin rreth 450 nxënës sot nuk është më, pasi në janar të 2022 IMT e ka prishur. Nxënësit e saj prej 5 vitesh janë të detyruar të bëjnë mësimin me turne në shkolla të tjera, duke shkuar me autobuzë.

Kjo shkollë u dëmtua si shumë shkolla e banesa të tjera nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe që prej asaj kohe është lënë në mëshirë të fatit. Prindërit të revoltuan shprehen për Fiksin se kanë 5 vjet që mbahen me premtime për rindërtimin e saj. Vetë nxënësit pohuan se kanë kohë që protestojnë për rindërtimin e shkollës duke bojkotuar mësimin dhe me pankartat ” Edhe sa vite duhet të presim”, “Rindërtoni shkollën ‘Ramazan Karaj'”.

Fiksi u interesua në Njësinë Administrative Nikël, ku kryetari Besnik Deliu thotë se arsyeja e vonesës për rindërtimin e shkollës është se në vitin 2022 kompania që do kryente punimet kërkoi shtesë fondi, për arsye të ngritjes së çmimeve. Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk e bëri një gjeë të tillë dhe firma u largua. Në mes të tjerash ai thotë që punimet për rindërtimin e shkollës do të fillojnë në fillim të vitit 2025 , dhe se fondet do të mundesohen nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar.

Fiksi kontaktoi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili në përgjigjen e tij thotë se shkolla “Ramazan Karaj” nuk ka qenë pjesë e projekteve të financuara apo të caktuara për zbatim prej tij.

Pas përgjigjes së marrë nga Foni Shqiptar i Zhvillimit, Fiks Fare kontaktoi sërish me administratorin e njësisë Nikël, i cili këtë herë sqaroi se buxheti për rindërtimin e shkollës është miratuar nga Minisitria e Arsimit. Sipas zotit Deliu, në fillim të vitit 2025 do të fillojë puna për rindërtimin e shkollës “Ramazan Karaj”.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA