Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çeli edicionin e katërt të çmimit “Lumo Skëndo”, që risjellë në vëmendje veprën dhe emrin e një personaliteti të madh sikurse ishte Mid’hat Frashëri.
Konkursi ka në fokus gjykimin e veprave më të mira të vitit në fushën e publicistikës dhe eseistikes.
Alda Bardhyli shprehet: “Ky çmim vjen për të nderuar jo vetëm një figurë madhore sikurse është Mid’hat Frashëri, por edhe për t’i dhënë rëndësi veprave të kategorisë si publicistika apo eseistika që kanë një ndikim në shoqëri, si vepra ideore”.
Juria e këtij edicioni kryesohet nga Dekania e shkencave humane ne UET, Belina Budini dhe anëtarë akademiku Anastas Angjeli, historiani Uran Butka, gazetaret Aida Tuci dhe Rudina Xhunga.
Kryetarja e këtij edicioni ftoi botuesit të sjellin veprat e publikuara në publicistikë teksa theksoi se juria ashtu si edhe vlerësimi për këtë çmim është mjaft demokratike.
Belina Budini thotë: “Ky çmim është një rast për ta sjellë institucionin e gjykimit kulturor në një nivel të lartë në hapësirën publike shqiptare për vetë faktin se kjo figurë intelektuale e shumanshme përbën një imazh si gur themeli, duke qenë një nga etërit e kombit shqiptar. Është një figurë thellësisht demokratike, që na ka bërë edhe ne si juri të jemi thellësisht demokratik, të ftojmë dhe të kemi gjithmonë kontribute nga intelektualë, publicistë, eseistë, studiues të të gjithë spektrit, pavarësisht angazhimeve të tyre politike”.
Në këtë takim, u prezantua dhe vëllimi i dhjetë i veprës diplomatike, letrare dhe publicistike të Mid’hat Frashëri, botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.
Çmimi “Lumo Skëndo” do të ndahet në 25 mars, në 145 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh.
Top Channel