Në fshatin Gjonç të Fierit, prej dekadash, fermerët janë marrë me mbarështimin e gjelave të detit në mënyrë bio. Por ky zanat po përballet çdo vit me sfida gjithnjë e më të mëdha.
Pavarësisht cilësisë, konkurrenca nga importet dhe rënia e fuqisë blerëse kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të gjelave të rritur në këtë zonë. Fermerët ankohen se gjelat e detit të importuar, veçanërisht ato nga Greqia, shiten me çmime më të ulëta, duke i detyruar ata të shesin prodhimin e tyre nën kosto.
“Kam 30 vite që ushtroj këtë zanat. Në fillim, ishte ndryshe. Nuk kishte mall nga jashtë dhe njerëzit e vlerësonin produktin bio, thotë një fermer i zonës. Sot po i shes me 800 lekë të reja kilogramin, ndërkohë që misrin e blej vetë. Me këtë çmim nuk mbulojmë dot shpenzimet, pasi harxhimet janë të larta. Nuk ka ujë dhe jemi të detyruar të blejmë gjithçka, përfshirë ushqimin për gjelat”, thotë një prej fermerëve.
Fermerët shpjegojnë se rritja e gjelave të detit kërkon përkushtim dhe kujdes të madh, sepse janë shumë delikatë dhe shpesh sëmuren. Për këtë arsye, kostoja e prodhimit është e lartë dhe ata janë të detyruar të kërkojnë një çmim mbi 10 mijë lekë për kilogram, një shifër që shumë konsumatorë nuk mund ta përballojnë.
Me gjithë problemet fermerët e kësaj zone çdo vit i përkushtohet rritjes së shpendit të festave.
Top Channel