Krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve të Bashkimit Europian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Boshtin e samitit e përbëjnë çështjet që kanë të bëjnë me perspektivën europiane të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Blloku po kërkon t`i afrojë më shumë të gjashtë vendet e këtij rajoni dhe t’i inkurarojë ata të shtojnë përpjekjet për reformat, të cilat kurorëzohen dikur me anëtarësimin në BE.
Burime në Bruksel pohojnë se takimi do të krijojë mundësinë për të intensifikuar dinamikën e partneritetit strategjik të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Temë diskutimi do të jetë mes të tjerash edhe bashkëpunimi lidhur me menaxhimin e emigracionit si dhe lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.
Ndërkohë në Bruksel si më i përparuar në procesin e antarësimit konsiderohet Mali i Zi. Megjithatë vetëm pas disa vitesh mund të mendohet arritja e zgjerimit të BE-së. Me Malin e Zi dhe SerbinëBE-ja negocion që nga viti 2012 përkatësisht 2014.
Procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka nisur në vitin 2022. Bosnje-Hercegovina ka statusin e vendit kandidat, por deri tani nuk ka nisur negociatat. Kosova është një vend potencial për të qenë kandidat për antarësim.
Të enjten do të zhvillohet edhe samiti i rregullt i fundvitit i vendeve të BE-së.
Top Channel