Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze…
Ngjitja në majë, nuk mund të arrihet pa luftë. Lufta ka synim territoret dhe ato dikur kontrolloheshin nga grupi i Ardian Çapjas.
Një prej grupeve më të fuqishme në Shqipëri të cilit Suel Çela guxoi ti kundërvihej ashpër. Një betejë që konfirmohet zyrtarisht për herë të parë në dosjen e fundit të SPAK ndaj Suel Çelës, bazuar në transkriptet e SKY.
Para se të zbërthejmë të plotë dosjen e SPAK, duhet të sqarojmë se në Elbasan, operojnë edhe dy grupe të tjera të fuqishme të përfshira në hakmarrje të ashpër: grupet “Çopja” dhe “Alibej”.
Sot, këto grupe kanë hesape me prokurorinë e posaçme për një seri vrasjesh mes tyre, trafik kokaine dhe vepra të tjera. Pas dominimit të Çapjave dhe Celajve, një tjetër familje me peshë të madhe, ishte grupi i “Alibejve”. Grupi drejtohej dikur nga Endrit Alibej, I njohur me nofkën Tarzani, e më pas nga vëllai I tij Erjoni, I njohur me nofkën “Krymi”. Alibej është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke rrëfyer skemat, emrat dhe motivet e një lufte që ka marrë dhjetëra jetë.
Ai hyri në qendër të vëmendjes pas Masakrës së Bradasheshit më 29 dhjetor 2018, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Endrit Alibej, së bashku me xhaxhain Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erdal Duranay. Ajo ngjarje, celi luftën me grupin Çopja, të drejtuar nga Franc Çopja dhe vëllai i tij Hajdar Çopja. I pari sot ndodhet prapa hekurave në Belgjikë dhe i dyti jeton mes luksit në Dubai. Dikur, dy bandat ishin miq. Madje, referuar dosjes së Porkurorisë së Elbasanit të përcjellë në SPAK, Erjon Alibej i zënë në befasi dhe pabesi, kërkon ndihmë nga vrasësit e të vëllait. Teksa shkonte në vendngjarje, ai i kërkon një armë Mikael Qosjas, i shpallur në kërkim pikërisht si organizator i vrasjes.
Kur është gjendur në vendin e quajtur Shatërvani në Bulevardin e qytetit ka parë shtetasin Erjon Alibej i cili i vinte në krah të kundërt të tij me një mjet S Class të zi i cili ishte me një person tjetër që nuk e njihte. Erjoni I ka folur nga mjeti i tij shumë i shqetësuar duke i thënë ‘o vëlla më jep një hekur shpejt të lutem, a ke gjë me vete’. Sipas deklaruesit përgjigja e tij ka qenë s’kam hekur, cfarë hekuri”.
Pas masakrës së Bradasheshit, njerëz të afërt dhe anëtarë të tjerë të familjes Alibej u ekzekutuan duke përgjakur rrugët e aksit Elbasan-Peqin. Atë që nuk e bënte shteti, Erion Alibej e bëri privatisht duke zbuluar vrasësit dhe nisur hakmarrjen. Një seri që u ndal vetëm pasi Erjon Alibej u vu në pranga dhe u shndërrua në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Ai tregoi të gjitha ngjarjet e organizuara, por edhe informacionet për humbjen e vëllait dhe kushërinjve nga atentatet e “Çopjave”. Një grup që dikur e nisi karrierën në Itali me shpërndarjen e dozave të vogla, për të ngritur linja duke kaluar tonelata kokaine nga Amerika Latine.
Sot që flasim, aksionet e drejtësisë kanë dobësuar shumë grupet Çopja dhe Alibej.
Top Channel