Policia gjyqësore federale e Brukselit ka çmontuar dhe ka arrestuar disa anëtarë të një organizatë kriminale që kontrabandonte drogë në Britani.
Drejtuesit e rrjetit kriminal janë shtetas shqiptar, ku dyshohet se përdornin shoferë grekë kamionësh për të transportuar kokainë nga Belgjika drejt Anglisë. “The Brussles Times” shkruan se disa persona janë arrestuar, ndërsa shton se policia belge ka kryer rreth 30 kontrolle shtëpish.
“Organizata operonte nga disa lokacione në Belgjikë, kryesisht në Bruksel, por edhe në Brabant Flaman dhe Brabant Walloon. Në operacionin e mëngjesit të së hënës janë kryer rreth 30 kontrolle në këto zona të ndryshme, gjatë të cilave janë arrestuar disa të dyshuar dhe janë sekuestruar provat,” tha Zyra e Prokurorit të Brukselit.
Çmontimi i rrjetit kriminal
“Këto sekuestrime kontribuojnë në çmontimin e rrjetit duke zbuluar burimet financiare dhe logjistike që dyshohet se kanë përdorur të dyshuarit në aktivitetet e tyre të paligjshme”, thotë Prokuroria belge.
Ata shtuan se organizata kriminale përdorte kompani transporti për të maskuar transportin e drogës, duke fshehur ngarkesat e drogës në kamionë që transportonin mallra legale. Në këtë mënyrë, droga kontrabandohej në mënyrë diskrete nëpër Kanal për të furnizuar tregun anglez.
Përpara operacionit të së hënës, hetuesit kishin monitoruar disa dërgesa të dyshimta, duke lejuar autoritetet franceze dhe angleze të kapnin të dy ngarkesat me kokainë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Hetimi tani do të vazhdojë për të identifikuar të gjithë përgjegjësit dhe për të çmontuar rrjetin edhe më tej.
Top Channel