Vota e diasporës/ Më 11 janar regjistrohen emigrantët! Në mars u dërgohet me postë fleta e votimit, shpenzimet i paguan shteti

16/12/2024 12:14

Për herë të parë në zgjedhjet e pranverës emigrantët do të votojnë në vendin ku  jetojnë dhe vota e tyre do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më 11 janar nis procesi i aplikimit për  regjistrimin e votuesve  nga jashtë dhe për këtë qëllim KQZ është në garë me kohen për ndërtimin e platformës online të regjistrimit para Krishtlindjeve.

Celibashi: Po, platforma  do jetë gati, më 11 janar, e sigurt 100 për qind, në funksionalitetin e saj të plotë. Brenda kësaj jave pra para fundit të këtij viti do të bëjmë testet e nevojshme në prani të partive politike dhe palëve të interesuara, siguria për funksionalitetin e saj 100 për qind.

Opozita kërkoi garanci për votën e diasporës. E shkuara e  kontestimit të zgjedhjeve, ka bërë që Komisoneri Ilirian Celibashi të angazhohet për t’i dhënë  jo vetëm akses të plotë dy partive të mëdha PS dhe PD, nga hapi i parë që nis me regjistrimin deri tek numërimi por edhe veton nëse konstatojnë parregullsi në KQZ.

Celibashi: Problematikat mund të afektojnë gjithë procesin në Shqipëri ndaj duhet të  kemi vëmendjen për ta bërë procesin e sigurt për të gjitha palët. PS dhe PD, edhe pse kemi pasur debat me partitë  e tjera kanë të drejtën të kenë secila prej tyre një përfaqësues prezent në çdo tavolinë numërimi, për të mos  folur që procesi është i monitoruar me kamera në çdo tavoline. I kam propozuar rregullatorit që gjithë procesi që do angazhohet, pasi procesi i numërimit do kryhet nga KQZ,  i kam propozuar që partitë parlamentare të vendosin veton për çdo punonjës administrate që mendojnë se s’kanë të drejtën të jetë në proces.

Dërgimi dhe kthimi i fletës së votimit shoqërohet më një kosto financiare  për të cilat  paratë  tashmë janë siguruar. Shpenzimet  vetëm për betejën e pranverës do t’i përsipër të gjitha shteti. Por, megjithëse zgjidhja është gjetur kodi zgjedhor duhet të ndryshoje serish.

Celibashi: Operatoret e shërbimit postar e kanë pranuar që vlera shkon afërsisht në shifrën e  4 mijë e 500 lekeve, por tarifat  do jenë të ulëta edhe me disa herë. Në buxhetin e shtetit janë vendosur paratë edhe për kthimin mbrapsht të fletës së votimit për një numër 100 mije votuesish, por edhe nëse do ketë më shumë qeveria do angazhohet. Por për këtë duhet një ndryshim për kodin zgjedhor, pasi ne detyrohemi të dërgojmë vetëm shërbimin e dërgesës meqë i kemi paratë duhet ndryshimi edhe për shërbimin e dërgimit mbrapsht të fletës së votimit.

Vlefshmëria e kartave të identitetit nuk ka marrë ende zgjidhje të plotë, pasi me dokumentet e skaduara do përdoren vetëm në momentin e regjistrimit dhe jo të votimit. KQZ  i ka kërkuar informacion Ministrisë së Brendshme për numrin e emigrantëve që nuk kanë rinovuar pasaportat ndërsa në vlerësimin e Ilirian Celibashit  shtyrja e afatit të dokumeteve të skaduara është në dorën e qeverisë dhe Parlamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA