Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, sot në pension në kuadër të festave të fundvitit.
Rama ironizoi premtimet e kryetarit të Parisë Demokratike, Sali Berisha, ku ky i fundit ka premtuar paga 500-1000 euro.
Kryesocialisti tha se “qysh para vitit 2014, ju jeni trajtuar si të njerkës, ndërsa tani trajtoheni si të nënës”.
“Tani ata që vuajnë këtë pasojë dhe që janë viktimat e gjalla të politikës qorre dhe të papërgjegjshmërisë së atyre që sot e gjithë ditën iu thonë ne do t’ua bëjmë pensionet 500 euro, ne do t’ua bëjmë pensionet 1000 euro, shesin qylyma fluturës si qylymat e Sudes edhe të Rrapushit dhe faktikisht këtu është edhe dallimi, se në fund të ditës pensionistët qysh nga viti 2014 dhe sot me reformën e bërë dhe me ndryshimin komplet të qasjes, janë trajtuar si të nënës, ndërkohë që më përpara janë trajtuar si të njerkës, ky është dallimi, shumë i dhimbshëm, po shumë i vërtetë që lexohet në të gjitha shifrat, mjafton të shikosh kolonat, të njëjtat kategori, të njëjtat vite pune para dhe pas 2014 pensioni me diferencë ndryshe dhe e përsëris, çdo pagë që rritet është një lajm i mirë për sa i përket fondit të pensioneve sepse rritet fondi i pensioneve.
Ju e shikoni vetë, e ndiqni vetë. Jam i bindur që e ndiqni nga afër trupën e Policisë së Shtetit, sepse Policia e shtetit është si një skuadër. Është si një skuadër që edhe kur ke ndaluar së luajturi, prapë je i lidhur me të.
Kështu që, ajo që unë do të thoja në përfundim është që ne po bëjmë çmos që ta rrisim prestigjin e Policisë së Shtetit, të risim mbështetjen për Policinë e Shtetit, të rrisim pagat, të përmirësojmë kushtet, të rrisim teknologjinë e kështu me radhë dhe është e sigurt, siç e tha dhe ministri të gjitha ato arritje të Policisë së Shtetit që ne mund t’i numërojmë me krenari, nuk do kishin ndodhur pa ju të gjithë që edhe pse nuk jeni aktiv sot, por jeni baza në të cilën është ndërtuar më tej, gur pas guri, muri i Policisë së Shtetit dhe për më tepër një pjesë e juaja janë edhe pedagog, mësues, por të gjithë juve jeni edhe mësues në punë të atyre që sot drejtojnë Policinë e Shtetit duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm që i përket një brezi më të ri të drejtuesve të Policisë së Shtetit.”, tha Rama.
Top Channel