A duhej nxjerrë Parashqevi Simaku nga “korniza e artë” e artistes… në një grua të pastrehë?!

16/12/2024 17:58

Nga Ana Kurti

Rrjetet sociale në disa raste na kanë dëshmuar se mund të ndryshojnë jetën e një individi apo familjeje (shoqërinë kurrsesi), për mirë… ama edhe për keq!

Ka disa raste kur publikimi i historive njerëzore, (fëmijë të sëmurë, të mbetur pa strehë, familje mes skamjes, dhe lista vijon…) kanë bërë bashkë në pak orë mijëra shqiptarë duke iu dhënë dorën dhe një mundësi për t’ia dalë dhe ringritur. Dëshmitarë të këtyre rasteve jemi thuajse të gjithë dhe kjo është e bukur, frymëzuese dhe e shëndetshme.

Por ka dhe nga ato raste kur rrjetet sociale kanë shkatërruar imazhe, kanë denigruar, sulmuar dhe baltosur individë të caktuar, gjyqe publike me dhe “pa dosje” të kopsitura drejt.

Historia e këtij dhjetori 2024 e këngëtares Parashqevi Simaku, që unë e kam njohur përmes “arkivës” si ikonë të muzikës shqiptare dhe që nuk e kam jetuar lulëzimin e saj, një zë që veç emocione të bukura më ka krijuar, një fytyrë dhe buzëqeshje që të kënaq sytë dhe të fiksohet ëmbël në memorie, më ka krijuar një konfuzion shqetësues.

Publikimi i pamjeve të trishta nga rrugët e New York ku ajo shfaqet në kushte të vështira ose të rënduara ndoshta psikologjike dhe ekonomike, në sekondat e para më bëri të ndihem keq, të ndjej keqardhje për të dhe të mendoj instinktivisht: Po si mundet të përfundojë në një situatë të tillë, e vetmuar dhe e braktisur, (jo e varfër) një njeri që me zërin e saj bashkoi dhe bashkon njerëz nën të njëjtën melodi emocionesh pozitive?

Më pas, ndërsa në kokë më vinin shumë mendime dhe përpiqesha të kuptoja apo të mësoja më shumë për atë që mund të ketë ndodhur, një bombardim reagimesh shpërtheu në rrjet. Shumë kërkonin alternativa për ta kontaktuar dhe për ta ndihmuar, për të folur me të, të tjerë kritikonin publikimin e pamjeve… Unë kam mbetur mes të dyjave, dëshirës për ta ndihmuar dhe stepjes për të publikuar pamje apo lajme për të.

Nëse pamjet nuk do ishin bërë publike, unë e shumë të tjerë do vijonim të adhuronim atë zë dhe atë bukuri të asaj vajze që nisi dhe mbylli një histori suksesi në Shqipëri, të shkurtër, por SUKSESI!

Po ndërsa ne ruanim këtë imazh, po ajo? Do vijonte të endej rrugëve vetëm dhe në atë gjendje?! (Nuk di ç’ka ndodhur dhe përse sot gjendet këtu, dhe refuzoj të dëgjoj çdo histori nga njerëz që e paskan njohur dhe që ditkërkan versione të ‘errëta’ apo shndritshme të jetës së saj).

Unë do doja ta ruaja imazhin e saj ashtu siç historia e muzikës së atyre viteve ma ka servirur dhe siç vërtetë ka qenë, por a nuk është dëshirë egoiste kjo? Të mosdashurit të ndjej trishtim për atë grua të bukur edhe sot, shumë të bukur, por që nuk ka fatin që unë mendoj se nuk meriton të ketë?!

Nuk më pëlqen kjo që po ndodh, publikimi dhe publikimi dhe publikimi pa limit i pamjeve të ditëve të fundit, por po sikur ky të jetë rasti që përmes këtyre publikimeve jeta e saj të ndryshojë dhe të rigjejë me vepra dashurinë e publikut, që do ta ngrejë në atë nivel që një ikone muzikore i takon?

Në gjithë këto vite kur publiku i gjerë nuk dinte asgjë për të, sepse ndoshta kështu kishte zgjedhur ajo, ata pak persona qe e dinin situatën dhe kishin zgjedhur të mos e cënonin publikisht imazhin e saj, përse nuk e parandaluan ose përse nuk e ndihmuan që sot këto pamje të mos ekzistonin?!

Ajo mund të ketë ndryshuar shumë, në shumë aspekte, por buzëqeshja e saj JO! As dashuria e publikut për të duket se nuk ka ndryshuar, vijojnë t’i dëgjojnë këngët e saj… dhe sa bukur do ishte t’i dëgjonin ato Live, nga rrugët e New York a kudo, veç ajo të pranonte të këndonte dhe t’i shkëlqenin edhe një herë sytë.

A duhet ta pranojmë situatën ne të cilën ajo ndodhet dhe ta ndihmojmë, apo do duhej ta ruanim imazhin në “kornizën e artë” që u mbyll në vitet ’90, për të mos trazuar shpirtin me trishtim apo qoftë dhe me thashetheme?

Në këtë rast, a po na mëson ne Parashqevia se njerëzit duhen lënë të qetë në jetën e tyre dhe fatin që kanë zgjedhur apo “u është caktuar”, apo duhet t’i tregojmë ne se dashuria e publikut mund ta rigjejë atë dhe ta ringrejë nëse ka nevojë për ndihmë?! Çfarë e ndanë në këtë rast ruajtjen e privatësisë nga indiferentizmi shoqëror?

Rrjetet sociale na vënë përballë dy realiteteve, por për ketë rast duhet të jemi ne, shoqëria, që ta përdorë për mirë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA