Pas humbjes së jetës së një 17-vjeçareje nga Durrësi për shkak të meningitit akut, kanë nisur menjëherë masat profilaktike për personelin mjekësor të Urgjencës Spitalore të Durrësit dhe familjarët e saj.
Ndërkohë, pritet përfundimi i analizave laboratorike në ISHP për të përcaktuar nëntipin e saktë të shtamit, gjë që do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut dhe ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje infektive.
Zyra Vendore e Arsimit në Durrës bën me dije për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi se masa po merren edhe në gjimnazin “Leonik Tomeo,” ku mësonte 17-vjeçarja. Ambientet e shkollës do të dezinfektohen, ndërsa autoritetet shëndetësore po gjurmojnë personat që kanë pasur kontakte me të. Gjimnazistja humbi jetën në shërbimin infektiv të QSUT, pasi gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi.
Ajo u paraqit të shtunën në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit me simptoma të ndryshme, si dhimbje koke dhe të vjella. Me gjithë përpjekjet për trajtim dhe transferimin e saj në QSUT, vajza nuk arriti të mbijetojë.
Mjekët e spitalit të Durrësit, jashtë kamerave, kanë deklaruar se kjo formë e meningitit nuk ishte shfaqur prej kohësh në qytet. Autoritetet shëndetësore po hetojnë për të kuptuar burimin dhe për të parandaluar raste të tjera.
Ndërsa ka pasiguri dhe shqetësim në komunitet, Njësia Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës nuk ka dhënë asnjë njoftim për media mbi masat e marra.
Sipas mjekëve, kjo formë e rëndë e meningitit shfaqet për herë të parë pas shumë vitesh në Durrës dhe rikthen vëmendjen te domosdoshmëria për forcimin e masave parandaluese në mbrojtje të shëndetit publik.
17-vjeçarja që humbi jetën ka qenë në një ekskursion në Voskopjë. Numri i personave që po bëjnë profilaksi është mbi 100 përfshirë ata që kanë shkuar në ekskursion, mjekë, familjarë dhe kontakte të tjerë.
Bakteri ka periudhë inkubacioni 4- 10 dite dhe përhapet nga spërklat dhe kontakti i afërt.
“Nuk ka vend për panik shpjegon Eugena Tomini dr e Ishp, sipas gazetares së Top Channel, Alma Demiri, ndërkohë që hetimi vijon.
Top Channel