Restaurimi i veshjeve tradicionale në Gjirokastër, mjeshtrit e zonës po punojnë për kostumet tradicionale që tërheqin turistët

15/12/2024 13:58

“Këto janë kostume të vjetra të vllehëve të Gjirokastrës, të cilat efekti kohë i ka shpërbërë. Ne na është besuar ripunimi dhe rindërtimi i të gjitha elementëve që ky kostum ka pasur”-shprehet artizanja Lizeta Hatika. 

Në Gjirokastër dhjetëra kostume traditcionale janë duke u restauruar prej mjeshtrave lokalë e njëherazi po frymëzojnë krijimin e kostumeve të reja sipas modeleve origjinale. Gjirokastra me shtatë zona etnografike kishte të zhdukur pothuajse deri tek ekzemplarët e fundit më shumë se dhjetë kostume të zonave të ndryshme.

Lizeta Hatika që po risjell në jetë elementë të veshjes të disa zonave prej vitesh realizon qëndisjen e tyre për porosi që vijnë nga grupet  folklorike, emigrantët dhe qytetarë që i kanë rikthyer ato si pjesë e ritualeve të festave dhe dasmave.

“Pjesa më e madhe e porosive vijnë nga emigrantë jashtë Shqipërisë të cilët bëjnë porosi për evente të ndryshme familjare. Vitin e kalur dhe sivjet janë bërë shumë porosi për fejesat dhe dasmat që ata bëjnë në vendet ku jetojnë.”

Sipas saj ngjyrat dhe motivet origjinale të këtyre veshjeve shekullore duhen kuruar nga ekspertë të etnografisë për të mos patur deformime ndërsa së fundi ka edhe përpjekje për risjelljen e materiale origjinale.

“Duhen përpjekje akoma më të mëdha dhe duhet të mblidhen komisione apo grupe etnografësh të cilët janë të njohur në këtë fushë për të vënë në vend çdo gjë që ne kemi si pjesë e trashëgimisë kulturore. Rëndom po shohim që po deformohen shumë kostume.

Ka përpjekje për të krijuar materiale autentike siç kanë qenë dikur. Janë disa artizanë që e kanë marrë shumë seriozisht dhe kanë filluar të punojnë ato materiale ashtu siç kanë qenë fijet dhe materialet e linit dhe shajakut.”

Vitet e fundit kostumeve të grupeve folklorike i janë rikthyer elementë të rrezikuar të traditës që nga kalcat e burrave, bohçatë e grave, përparëset, shamitë, këmishat dhe opingat e qëndisura. Ekspertët pranojnë se me vitet shumë materiale po ndryshojnë për shkak të humbjes së prodhuesve të shajakut e përpunuesve të leshit por besohet se humbja e pandalshme e elementëve të trashëgimisë  që vihej re gati një dekade më parë tashmë është ndërprerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA