Nga Eda Kola
Kur mendon se po shkon drejt së një ardhmeje më të ndritur, drejt të mirës materiale, por gjatë atij udhëtimi po humbet më shumë se ç’po fiton në realitet… dhe dëshpërimisht e paguan shumë shtrenjtë duke humbur çfarë nuk blihet dot me para.
Parashqevia është e njëjta, akoma flet me finesë e ëmbëlsi si në herën e fundit që u intervistua pasi u largua drejt “ëndrrës amerikane”, është po aq e bukur paçka se vitet i kanë pllakosur rrudhat në fytyrë. Por çfarë e ndaloi ambicien e saj për të kapur Hollywood-in, kush e prishi lumturinë dhe ëndrrën e ikonës së muzikës shqiptare?
Si një rezidente amerikane tashmë, kam pasur rastin të shoh nga afër të mirat e të këqijat e Amerikës nga A në ZH, dhe më besoni kur ju them që asgjë nuk është ashtu siç reklamohet dhe duket.
Të krahasosh një vend të vogël si Shqipëria ku shumë vlera akoma ruhen me rreptësi, me një “makineri gjigande” si Amerika, nuk është gjëja e duhur për t’u bërë.
Të vendosësh të jetosh në Amerikë, e sidomos në New York, do të thotë të bësh kompromis me shumë gjëra, që nisin nga të pranuarit e të qenurit vetëm. Nëse nuk e keni bërë deri më tani, ky është momenti e shenja që çdo shqiptar të jetë mirënjohës për atë çfarë Shqipëria të ofron, dashurinë për njëri-tjetrin. Mbase e zbehur paksa kohët e fundit por akoma e pranishme.
Amerika nuk i njeh këto ndjesi, madje nuk jam e sigurt të ketë ekzistuar ndonjëherë.
Nëse ti një ditë për një mijë arsye të ndryshme zgjedh të mos zgjohesh nga krevati, vështirë që dikush të marrë mundimin të pyesë në je mirë apo jo. E nëse zgjohesh dhe zgjedh të nisësh ditën e të shkosh në punë, është e pashmangshme që rrugës për atje të mos shkëmbehesh për tre minuta në një stacion treni me 10 endacakë.
Me shumë gjasa një ndër to mund të jetë Parashqevia, e ndoshta jo ajo saktësisht por një “Parashqevi” që për të njëjtat arsye ka zgjedhur të jetë aty.
Të jesh endacak në New York nuk domethënë domosdoshmërisht që nuk ke mundësi ekonomike dhe përfundon i/e pastrehë. Në shumicën e rasteve të jesh në atë rrethanë, domethënë se nuk ja ke dalë të fitosh luftën me realitetin dhe mendja jote i është nënshtruar perëndisë së depresionit.
Për qindra arsye të ndryshme që asnjë nga ne nuk i di dhe nuk mund të ngremë hipoteza të pabaza, Parashqevia është aty ku është, në të ftohtë, vetëm, mbase me barkun bosh. Diva shqiptare e viteve 90 ka përfunduar “homeless”.
Herën e fundit kur ajo u intervistua në 97, u shpreh shumë e dashuruar me partnerin e saj dhe foli për lidhjen e ngushtë që kishte me familjen e saj të cilët edhe mundohej t’i ndihmonte. Tha gjithashtu se po punonte të arrinte qëllimet që i kishte vënë vetës për pasionin e saj, muzikën.
Sot, me dëshirën e madhe për ta gjetur e për të mësuar më shumë prej saj, shkova ta kërkoj. Nuk e gjeta. Më shumë sesa për ta ditur se çfarë ndodhi me të, doja të merrja një mësim jete nga ajo. E di që ajo ka shkëlqyer e ka qenë në maja, jam e sigurt që nuk ka qenë keq materialisht dhe moralisht gjithmonë, por di gjithashtu që fija që ndan fjalën “Amerikë” dhe “depresion” është shumë e hollë. E të jesh njeri me ambicie të madhe dhe të përfundosh në skutat e errëta të depresionit, nuk është e pamundur.
Nuk do ndaloj së kërkuari atë, jo për t’i thënë që Shqipëria të pret mbrapsht për të të ofruar atë pension që jam e sigurt që ajo është e aftë për ta fituar mbase me një ditë pune në New York, as për ti bërë një video sa për të përfituar nga situata e për të ushqyer rrjetet sociale, por për t’i ofruar një vesh që ta dëgjojë e ta mbështesë për të dalë nga errësira.
Top Channel